E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mianmar, rrëzohet apeli i San Suu Kyi

Junta ushtarake e Mianmarit ka hedhur poshtë apelin e paraqitur nga liderja opozitare dhe fituesja e çmimit Nobel për paqen, Aung San Suu Kyi, e cila kontestonte dënimin e saj prej 18 muajsh në arrest shtëpie. Penalizimimi iu dha asaj nga një gjykatë , pasi u akuzua se kishte lejuar në shtëpinë e saj një shtetas amerikan, vizita e të cilit ishte e paautorizuar. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare. "Apeli është refuzuar, por ne do t'i drejtohemi gjyaktës supreme", bëri të ditur avokati i San Syu Kyi. Aktivistja për demokraci, do të vazhdojë të mbetet në arrest shtëpie në banesën e saj, ashtu siç parashikon dënimi i dhënë muaj më parë, kur shtetasi amerikan hyri me not në shtëpinë e lideres opozitare, e cila gjithashtu ndodhej në arrest shtëpie asokohe. Veprimi i amerikanit u justifikua prej tij, me faktin se ai donte ta shpëtonte San Suu Kyi-në pasi, ai ndjente se ajo ishtë në rrezik. Dënimi i parë i dhënë nga gjykata, prej tre vjetësh punë të detyruar, u reduktua në një vit e gjysmë arrest shtëpie, i njëjti dënim që iu dha edhe dy bashkëpunëtorëve të aktivistes. Por edhe për këto dy persona, dy gra, kërkësa e apelimit u refuzua. Ndërsa John Yettaw, shtetasi me origjinë amerikane , u dënua me 7 vjet punë të detyruar, por Washingtoni mundi të sigurojë lirimin e tij falë ndërhyrjes së senatorit Jim Webb.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›