Michelle Obama: Baracku është ëndrra amerikane

Duke mbyllur natën e parë të konventës së Partisë Demokratike në Charlotte të Karolinës Veriore, ajo e vlerësoi presidentin Barack Obama si një bashkëshort të devotshëm dhe baba të kujdesshëm në shtëpi.
Ajo gjithashtu e përshkroi atë si një “njeri të cilit mund t’i besojmë” për ringjalljen e ekonomisë së dobët të vendit.
“Unë e dua burrin tim edhe më shumë sesa para katër vjetësh, madje edhe më shumë sesa para 23 vjetësh kur u takuam për herë të parë. Më lejoni t’ju tregoj arsyen. Unë e dua për shkak se kurrë nuk harroi se si ia ka nisur. Unë e dua për shkak se mund t’i besojmë Barackut, se do ta bëjë atë që e thotë, edhe kur është vështirë - sidomos kur është vështirë”, u shpreh zonja Obama.
Zonja e Parë tha se presidenti ishte frymëzuar nga vetë përvoja e tij, kur angazhohej për ligjet që përfshijnë kujdesin shëndetësor, borxhin e studentëve dhe pagesat e drejta për femrat.
"Barack di se çfarë do të thotë kur një familje gjendet në vështirësi. Ai e di se çfarë do të thotë kur dëshironi diçka më shumë për fëmijët tuaj dhe nipërit tuaj. Barack e njeh ëndrrën amerikane, sepse e ka jetuar atë. Ai dëshiron që secili në këtë vend, secili, ta ketë mundësinë e njëjtë, pa marrë parasysh se kush jemi ne, nga jemi, si dukemi, apo kënd e duam”, u shpreh zonja Obama.
Presidenti amerikan, Barack Obama, është duke u sfiduar në zgjedhjet e 6 nëntorit nga Mitt Romney, ish-guvernatori i Massachusetsit, i cili pranoi nominimin e Partisë Republikane javën e kaluar.
Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se Obama mban një epërsi të lehtë ndaj Romneyt.
Të martën, delegatët demokratë mbrojtën politikat e Obamës në fushën e ekonomisë, e cila po përballet me vështirësi.
Prefekti i qytetit të San Antonios së Teksasit, Julian Castro, tha se “katër vjet më parë, Amerika ishte në prag të depresionit”.
Ndërsa sot, sipas tij, falë veprimeve të Obamës, janë krijuar 4 milionë e gjysmë vende te reja pune.
Në Konventën Demokratike, e cila do të zgjatë tri ditë, Barack Obama dhe Joe Biden formalisht do të ri-emërohen për kandidat për president dhe nënpresident të SHBA-së.
Menjëherë pas hapjes së konventës, delegatët demokratë miratuan platformën politike, e cila kërkon tatime më të larta për amerikanët e pasur, derisa mbështet martesën mes personave të gjinisë së njëjtë dhe të drejtën e abortit.
Në tekst, gjithashtu përfshihet zotimi për t’i dhënë fund përfshirjes amerikane në luftën afgane në vitin 2014 dhe pengimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore.
Dokumenti përmban një deklaratë për “përkushtimin e palëkundur për sigurinë e Izraelit”, por mungojnë paragrafët, që në platformën e vitit 2008 të demokratëve i referoheshin Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.
Ndryshimet kanë shkaktuar kritika nga Romney, i cili denoncoi përmes një deklarate “refuzimin e turpshëm të Obamës që ta njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit”.
Obama dhe Biden do t'i drejtohen Konventës të enjten.