Detajet pikante të Konventës së Demokratëve në SHBA
Konventa e demokratëve: Pse u zgjodh Charlotte
Partia Demokrate ka nisur dje konventën kombëtare në qytetin jugor Sharlot të Karolinës së Veriut për të emëruar zyrtarisht Barak Obamën si kandidatin e saj për president në zgjedhjet e nëntorit.
Pse Sharlota
Partia demokrate e Obamës vendosi ta mbajë konventën në Sharlot, duke menduar se kjo ishte një zgjidhje e logjikshme, por tani disa analistë thonë se kjo mund të mos jetë një zgjedhje ideale për demokratët. Qyteti Sharlot i Karolinës së Veriut me 750.000 banorë ka çdo gjë për të cilën është i njohur jugu amerikan: akcentin jugor, ushqimet e fërguara të jugut dhe sharmin jugor. Sharlot është e njohur në botë për bananet Cikuita dhe për garat automobilistike NASCAR, ndërsa dikur ka qenë e njohur për ethet e arit. Në një farë mënyre, e tillë është edhe sot. Ajo është qendra e dytë më e madhe financiare e vendit pas Nju Jorkut, me banka që kanë asete prej më shumë se 2 trilion dollarësh. Demokratët janë përpjekur ta etiketojnë biznesin e bankave të mëdha si diçka negative në fushatën e këtij viti. Për shembull, ata nuk pranuan para nga korporatat për financimin e këtij kuvendi. Por Partia Demokrate nuk arriti të sigurojë paratë e duhura dhe iu desh ta shkurtojë kuvendin e saj nga 4 në tri ditë.
Detajet e konventës
Presidenti Obama do ta mbajë fjalimin e pranimit të enjten në stadiumin e futbollit profesionit, i cili mban emrin e korporatës së dytë më të madhe financiare të Amerikës. Për të shmangur përshtypjen se ka lidhje me këtë korporatë, demokratët po e quajnë stadiumin Bank of America stadiumi Panter, pra me emrin e ekipit të futbollit të këtushëm. Në zgjedhjet e 2008-s Obama fitoi me vështirësi në Karolinën e Veriut, duke u bërë demokrati i parë që fitonte në këtë shtet pas më shumë se 30 vjetësh. Ky shtet është mjaft i çmuar në këto zgjedhje. Piter Broun, anketues i Universitetit Kuinipiak shprehet i bindur se nëse ky shtet fitohet nga presidenti Obama atëherë Mit Romni nuk e merr dot Shtëpinë e Bardhë. Sondazhet më të fundit tregojnë se presidenti gëzon të njëjtën mbështetje në këtë shtet si edhe republikani Romni. Niveli prej 9.6 përqind i papunësisë në Karolinën e Veriut është mbi mesataren e vendit. Guvernatorja demokrate Beverli Purdju është mjaft jopopullore aq sa nuk do të përpiqet të rizgjidhet, ndërkohë që drejtori ekzekutiv i Partisë Demokrate për këtë shtet dha dorëheqjen për shkak të një skandali seksual. Por qyteti Sharlotte po i pret mirë të 35.000 njerëzit që marrin pjesë në këtë kuvend dhe demokratët shpresojnë se Karolina e Veriut do të bëjë të njëjtën gjë me Obamën në zgjedhjet e nëntorit.
Mishell Obama hap konventën
Momenti kryesor i ceremonisë së hapjes së konventës së demokratëve ishte fjalimi i Mishell Obamës, bashkëshortes së presidentit amerikan. Ish presidenti Bill Klinton do të flasë në konventë të mërkurën. Gjatë konventës, delegatët demokratë pritet të miratojnë platformën politike, e cila ngërthen në vetë zotimin për ti dhënë fund përfshirjes së Amerikës në luftën afgane deri në vitin 2014 dhe pengimin e Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore.