Energjia elektrike paguhet pa kamatëvonesa dhe me këste
Borxhi i akumuluar nga faturat e pashlyera arrin në rreth 200 milionë euro
Kamatëvonesat në pagesat e energjisë elektrike nuk do të aplikohen për të gjitha faturat e prapambetura. Madje të gjithë ata abonentë të OSSH-së mund ta kryejnë këtë pagesë edhe me këste deri në likuidimin e plotë të shumës mbi shpenzimin e kryer.
Vendimi
Përfaqësues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë sqaruar se të gjithë ata familjarë që kanë kohë që nuk i shlyejnë detyrimet e energjisë elektrike, nëse vendosin të paguajnë, nuk do t’u mbahen para shtesë si kamatëvonesa. Pra, është vendosur një amnisti e përgjithshme për të gjithë ata abonentë që figurojnë si debitorë pranë OSSH-së. Madje, edhe një mundësi tjetër do të ofrohet për këtë kategori personash, që nuk e paguajnë energjinë që konsumojnë. Ata që nuk kanë mundësi shlyerje për shkak të shumave të akumuluara ndër muaj kanë të drejtë që tani e tutje të mund t’i kryejnë pagesat edhe me këste, deri në likuidimin e plotë. Ky veprim, pohojnë përfaqësuesit e OSSH-së, do të bëhet krahas pagesave të muajve korrentë.
Shkaku
Sipas përfaqësuesve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë në vend këto vendime janë marrë për të zvogëluar disi borxhin e madh të krijuar për shkak të faturave të papaguara nga konsumatorët. Ky borxh, pranojnë specialistë të OSSH-së, arrin deri në 200 milionë euro. Një shumë e konsiderueshme kjo për buxhetin e kësaj kompanie, e cila që prej gjashtë muajsh operon në këtë fushë në vendin tonë. Ndërkohë që, për pagesën me këste specialistët shpjegojnë se konsiderohet si një ndihmë për të gjitha ato familje me të ardhura të pakta. Por edhe për ata të cilët kanë akumuluar një borxh të madh gjatë kësaj periudhe, duke mos paguar për muaj të tërë faturat e energjisë.
Reagimet
Nga ana tjetër, në sportelet e KESH-it, ku kryhen edhe pagesat e faturave të energjisë, numri i personave që kryejnë pagesa të prapambetura pa kamatëvonesa është i konsiderueshëm, por sërish sipas specialistëve të OSSH, shuma e shlyer lë shumë për të dëshiruar. Ata që shprehen si më të goditurit nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, që ka nisur të aplikohet me fillimin e vitit të ri, janë pensionistët, por edhe familjet me njerëz të papunë apo që mbahen nga të ardhurat e pakta të ndihmës ekonomike. Shumë prej tyre, në sportelet e pagesës së faturave kanë nisur t’i shlyejnë me këste këto detyrime.
Vetë sportelistet pohojnë se numri më i madh i likuidimeve të menjëhershme për faturat e prapambetura kryhet nga ato familje që banojnë në pallatet e reja. Në këto raste, për shkak të mospagesës së faturave të energjisë për katër muaj me radhë, atyre u ulen automatet individualë të furnizimit, nga faturistët në bashkëpunim me administratorët. Për rrjedhim ata nuk mund ta përdorin më këtë produkt pa shlyer më parë detyrimin.
çmimi i energjisë elektrike pësoi një rritje mesatare prej 13 për të gjithë konsumatorët. Ndërkohë që institucionet shtetërore do të duhet të paguajnë më shumë për këtë produkt.
Aktualisht furnizimi me energji elektrike është stabilizuar dhe ndërprerjet e pakta që kryhen, sipas përfaqësuesve të OSSH, vijnë si pasojë e remonteve dhe investimeve në stacionet elektrike.
#