E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pëllumb Kulla e Luftar Paja festojnë në Fier

Fier
Shkrimtari feston 70-vjetorin e lindjes. Aktori përuron monografinë

E diela ka qenë një ditë artistike për qytetin e Fierit. Dy personalitete të kulturës shqiptare janë kthyer në vendin e tyre, secili për të festuar dy data të veçanta. Paraditja i është rezervuar skenaristit dhe shkrimtarit Pëllumb Kulla. Ai është kthyer në Fier, për të festuar mes miqsh, dashamirësish e trupës së aktorëve të Teatrit të Fierit 70-vjetorin e lindjes. Ardhja u mundësua falë televizionit kombëtar “Top Channel”, ku në një nga programet televizive të “Top Channel”, “Talk Show”, moderatori Alban Dudushi, zbërtheu figurën e Kullës si dhe kontributin e tij në art. Pëllumb Kulla cilësohet si një prej figurave që ngriti trupën e Fierit dhe e ktheu teatrin “Bylis” një shkollë të vërtetë arti. Me emocione të thella dhe sy të përlotur, Pëllumb Kulla ka pritur edhe dhuratën e bërë me rastin e 70-vjetorit nga plejada e artistëve të Fierit. Të nxitur nga këta të fundit është mundësuar realizimi i portretit të tij nga piktori Bashkim Alushi.
Pas kësaj, e diela kulturore ka vijuar në sallën e Bibliotekës Publike të qytetit të Fierit. Në sallën e konferencave të kësaj biblioteke aktorë, artistë, shkrimtarë, politikanë, miq dhe dashamirës të skenës dhe ekranit janë mbledhur për të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të librit kushtuar artistit Luftar Paja. Fillimisht, aktiviteti ka nisur me një përmbledhje nga të gjitha rolet e realizuara nga “Artisti i Popullit” Luftar Paja. Arqile Lipe, aktor i humorit fierak, i cili prej vitesh jeton në Greqi, i ardhur posaçërisht për këtë aktivitet, ka dorëzuar dhuratat simbolike për aktorin Luftar Paja dhe autorin e monografisë së tij, Albert Zholi.
Petrit Ruka referoi për figurën shumëplanëshe të Luftar Pajës. Monografia “Luftar Paja” sjell një anë të re e të panjohur të artistit. Ajo nis me fshatin Gorishovë, ku artisti ka lindur dhe jetuar për shumë vite me radhë. Për këtë monografi, Albert Zholisë i është dashur të punojë për katër vite. Libri është ndarë në katër pjesë të rëndësishme si fëmijëria, jeta familjare, jeta shoqërore dhe si kurorë ka vënë mbi krye jetën artistike, me mbi 100 role në skenë dhe ekran. Në Fier, Luftar Paja u shprehu mirënjohjen miqve dhe dashamirësve të tij për vlerësimin që i bënë jetës dhe krijimtarisë së tij të gjatë dhe të bukur.
Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë Pëllumb Kulla, Petrit Ruka, Albert Zholi, Arqile Lipe, Mevlan Shanaj, Sejfulla Myftari, Jetulla Haliti, Fadil Nausfi e mjaft figura të njohura të jetës artistike. Në Fier, Paja është nderuar nga Unioni i Artistëve Shqiptarë me titullin “Nder i Unionit” me motivacionin: “Për kontributin e tij të shquar në interpretimin e qindra roleve në teatrin dhe filmin shqiptar”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›