E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre stadiume nuk përmbushin kushtet minimale

Gjendja e rënduar e stadiumeve rrezikon "të djegë" disa nga klubet e Kategorisë Superiore këtë sezon. Ndonëse drejtuesit nuk e vrasin shumë mendjen për këtë aspekt, kjo gjendje mund t'i penalizojë shumë ato, pasi ekipet e tyre do të jenë të detyruara të luajnë jashtë. Rrezikun e përjashtimit të këtyre stadiumeve nga lista e atyre të licencuar për ndeshje të Kategorisë Superiore e konfirmon edhe shefi i Komisionit të Licencimit, Besnik Cela. Prej disa ditësh Cela është duke kryer një tur të fundit inspektimi ku në qendër të vëmendjes kanë qenë stadiumet më problematike dhe që në gjendjen aktuale nuk mund të presin ndeshje. Më problematiku është stadiumi "Besa" i Kavajës, ku sipas Celës nuk është vënë dorë fare dhe në raportin e komisioni të licencimit për gjendjen e stadiumeve që do t'i kalohet Komitetit Ekzekutiv do t'i bëhet e qartë se ky impiant nuk mund të presë një ndeshje të Kategorisë Superiore. Në këtë mënyrë rreziku që Besa e Kavajës t'i luajë takimet jashtë fushës është më se real tani. Gjendja e stadiumit është e papranueshme sipas Celës, i cili shpjegon me detaje gjendjen e këtij stadiumi. "Jashtë stadiumit të Kavajës ka një grumbull plehrash rreth një metër e gjysmë të lartë. Rrethimi i jashtëm pothuajse nuk ekziston fare, ndërsa i brendshëm është i dëmtuar. Dhomat e zhveshjes janë në një gjendje skandaloze", është shprehur dje Cela. Duket se këtë herë nuk do të ketë asnjë tolerim nga e FSHF-së, sipas direktivave të marrë edhe nga UEFA. "Në raportin tim do të kërkoj nga Komitetit Ekzekutiv të mos lejojë të luhet në atë fusha që nuk plotësojnë kushtet", është shprehur Cela. Si ka saktësuar se në stadium nuk është vënë fare dorë, edhe pse drejtuesit e klubit janë njoftuar prej kohësh për rrezikun që i kanoset. Stadiumi është i Bashkisë, ndërsa drejtuesit nuk kanë ndërmend të lëvizin, duke rrezikuar gjithnjë e më shumë skuadrën.
Fieri dhe Kruja
Përvec stadiumit të Kavajës, problematik është edhe stadiumi i qytetit të Fierit, "Loni Papuciu". Sipas Besnik Celës ambientet e dhomave të zhveshjes së stadiumit janë inekzistente dhe totalisht të papranueshme për një klub të Kategorisë Superiore. "Këto ambiente duhen ndërtuar nga e para. Është si në mesjetë, rrobat duhen varur në gozhdët e ngulura në mur", - tregon shefi i Komisionit të Licencimit. Edhe ky stadium është shumë pranë përjashtimit, ndërkohë që e njëjta gjë mund të thuhet edhe për stadiumin e Krujës. Në të sipas Celës është duke u punuar dhe ende nuk është bërë një raport i saktë, por ka disa gjëra që duhet të riparohen për të përmbushur kushtet minimale. Cela ka inspektuar së fundmi edhe stadiumin e Peqinit, që është në gjendje të mirë, por që ka nevojë për disa ndryshime të domosdoshme. "Nëse shohim që ka dëshirë dhe punohet për t'i rregulluar gradualisht gjërat, nuk ka pse të tregohemi të ngurtë. Por kushtet minimale duhen plotësuar, nuk tolerohen, ashtu sikurse qëndrimi në vend, pa marrë mundimin për të rregulluar gjendjen", - përfundoi Cela.
Fatjon Kodra
Ja stadiumet që mund të përjashtohen
1.Stadiumi "Besa" i Kavajës
Stadiumi Besa është ndër stadiumet më vjetra të Shqipërisë, që ka një kapacitet prej 8000 vendesh, por që aktualisht është në gjendje të mjerueshme. Impianti nuk është i licencuar nga UEFA edhe pse pak vite më parë ishte një nga stadiumet më të mira në vend. Megjithatë, tashmë gjendja ka degraduar duke qenë se nuk është bërë asnjë investim së fundmi. Ambientet e brendshme janë në gjendje të papranueshme dhe nuk plotësojnë kushtet minimale të manualit të UEFA-s. Rrethimi i jashtëm i stadiumit është inekzistent, ndërkohë që stadiumi ka një tjetër rrethim të improvizuar nga një mal plehrash. Edhe rrethimi i brendshëm është dëmtuar dhe duhet bërë nga e para. Para pak vitesh stadiumi është pajisur me një fushë të re, që tashmë nuk gëzon më atë shkëlqimin e dikurshëm. Në këtë kuadër stadiumi u pajis me 200 ndenjëse plastike, por nuk u vu dorë nga Bashkia në ambientet e brendshme të impiantit.
2.Stadiumi "Loni Papuciu" i Fierit
Ndonëse deri pak kohë më parë cilësohej si një nga më të mirët, aktualisht stadiumi i Fierit "Loni Papuciu" nuk gëzon një gjendje të mirë. Madje sipas kryetarit të Komisionit të Licencimit, Besnik Cela ambientet e brendshme të stadiumit janë në gjendje të papranueshme aq sa bëjnë që të mos licencohet, duke detyruar Apoloninë të gjejë një fushë tjetër ku t'i luajë ndeshjet. Impianti që ka një kapacitet prej 6 mijë vendesh të ulura, i është nënshtruar një rikonstruksioni të ri disa vjet më parë, duke u pajisur me një tapet të ri të një cilësie bashkëkohore. Ky ishte një investim i kryer nga ana e Federatës Shqiptare e Futbollit, ndërkohë që stadiumi ashtu si edhe në shumë raste të tjera është pronë e Bashkisë. Kjo e fundit nuk ka vënë dorë, edhe pse disa javë më parë zyrtarët e federatës kanë paralajmëruar klubin se problemet që ka stadiumi duhen riparuar urgjentisht para kampionatit.
3.Stadiumi "Kastrioti" i Krujës
Ekipi i Kastriotit të Krujës është rikthyer pas shumë kohësh në Kategorinë Superiore, me ambicie të reja. Klubi krutan ka një stadium me përmasa të mira dhe me një kapacitet prej 6500 vendesh të ulura. Impianti është ndërtuar shumë vite më parë, por ka nevojë për një rikonstruksion të fuqishëm në mënyrë që të përmbushë kushtet minimale të përcaktuara në manualin e UEFA-s. Kryetari i Komisionit të Licencimit, Besnik Cela ka bërë një inspektim së fundmi, pasi i kishte dhënë disa detyra për të kryer javë më parë. Në lidhje me këtë impiant, Cela tha se në stadium po kryhen punime intensive, kështu që ende nuk mund të përcaktohet se cila do të jetë fytyra e re e këtij impianti. Stadiumi është pajisur me nj tunel për lojtarët, fusha ka pasur përmirësime të ndjeshme, ndërkohë që mungojnë vendet për gazetarët. Drejtuesit e klubit po punojnë për t'i plotësuar kushtet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›