E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miço: Dule të heqë dorë nga mandati i deputetit

Nuancat dhe përkatësitë partiake që kanë marrë pjesëtarë të minoritetit etnik grek në Sarandë, për shkak të aderimit në parti të ndryshme, sikur u lanë mënjanë të paktën sa për një natë. Kjo u pa në pjesëmarrjen e gjerë e "të përzier" të atyre që, duke kapërcyer dasitë partiake, kanë qenë bashkë në lokalin "Foinike" në Rrapet e Karahaxhit. Masivisht janë bërë pjesë e festimeve që ata i dhanë me votën e tyre kandidatit Kosta Barka, që edhe pse nuk preku mandatin e deputetit, u gjend shumë pranë tij, pasi mori masivisht votat e minoritarëve grekë në rajonin e Sarandës dhe në disa fshatra të Vlorës. Mes tyre ka qenë edhe nënkryetari i PBDNJ, Thoma Miço, që thotë se e mban ende këtë pozicion, përderisa është i pashkarkuar nga strukturat që e kanë këtë atribut. Si një nga mbështetësit më të afishuar të kandidaturës së Kosta Barkës në ambicien për të qenë deputet, Miço vlerëson orientimin dhe votimin në drejtimin e duhur nga pjesëtarë të minoritetit e njëherësh bën publik një apel për kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dule. Duke lexuar votën e pjesëtarëve të minoritetit, Miço shprehet se ata votuan në të vërtetë për "Omonia"-n, për kandidatët e saj, pavarësisht me logon e cilës parti zbritën si kandidatë: me PD, PBDNJ apo PS. Ndërkohë, ai fokusohet tani në atë që është identifikuar si shqetësim. "Çfarë do të bëhet me këtë komunitet të përçarë nga politika e mbrapshtë e kryesisht e kryetarit të PBDNJ-së, zotit Vangjel Dule dhe nga papërgjegjshmëria e kryetarit aktual të "Omonia"-s, zotit Vasil Bollano", pyet Miço. Me shqetësimin se si të bashkohet ky komunitet, pavarësisht se për kë votuan, ai thotë se minoritarët kanë një mesazh për të kaluar drejt Tiranës dhe selisë së PBDNJ: I kërkojnë zotit Dule të mos e marrë mandatin e deputetit, për arsye se vota e minoritetit etnik grek nuk i adresohet atij, por kandidatit të "Omonia"-s. Sipas tij, ata votuan përsëri për "Omonia"-n dhe jo për kreun e PBDNJ, zotin Dule, i cili, në mënyrë abuzive dhe krejt arbitrarisht, nuk mbështeti vendimin e kësaj organizate që më 28 qershor PBDNJ të dilte subjekt elektoral i pavarur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›