Microsoft, mbështetje Berishës për projektin e dixhitalizimit
Kryetari për Evropën i korporatës Microsoft, Jan Muehlfeit, me anë të një letre uroi dje Kryeministrin Sali Berisha për rizgjedhjen në këtë detyrë. Z. Muehlfeit garantoi mbështetjen e Microsoft për realizimin e projektit “Shqipëria në moshën dixhitale”. Në mesazhin e tij, z. Muehlfeit shprehet: “Në emër të Microsoft, dëshiroj t’Ju shpreh urimet më të sinqerta mbi rizgjedhjen dhe konfirmimin tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Siç mund të jeni në dijeni, ne kemi punuar ngushtësisht me qeverinë tuaj për tri vite dhe shpresoj ta shtrijmë këtë sërish në këtë legjislaturë”. “Ne, - shton ai, - ndajmë vizionin tuaj për Shqipërinë si vendi me rritjen më të shpejtë në Evropën Juglindore dhe besojmë se ne mund të jemi mbështetës dhe të bashkëpunojmë për ta arritur këtë. Bazuar në të kuptuarit tim të prioriteteve të qeverisë suaj, veçanërisht në fushat e edukimit, kujdesit shëndetësor dhe potencialit të Shqipërisë në projektin e moshës së internetit, unë besoj se Microsoft ka një rol kyç në ofrimin e ekspertizës, zgjidhjeve dhe mbështetjes dhe jam i sigurt se Arsen Kurti, menaxher i përgjithshëm për Shqipërinë dhe skuadra e tij do të bashkëpunojnë me Ju dhe ministritë respektive”, - shkruan z. Muehlfeit. “Unë, - përfundon ai, - shpresoj, me të vërtetë, se ne do të kemi një mundësi për t’u takuar në Shqipëri në të ardhmen e afërme ose unë do të isha i kënaqur t’Ju mirëprisja Juve gjatë vizitës suaj të mundshme në Bruksel. Ne presim të vazhdojmë punën me qeverinë Tuaj për të arritur vizionin e Shqipërisë në moshën dixhitale”.