Reforma në drejtësi, Nishani: Opozita të japë konsensusin
Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani i bëri dje thirrje opozitës që t’i bashkohet nismës së mazhorancës për reformën në drejtësi dhe në mënyrë të veçantë, miratimin e projektligjit për Gjykatën Administrative. Pasi shprehu angazhimin maksimal të qeverisë për miratimin sa më shpejt të projektligjit të Gjykatës Administrative, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, siguroi dje se reforma në drejtësi do të orientohet drejt përafrimit të legjislacionit me standardet e BE-së. Ministri Nishani tha gjithashtu se vijimësia e reformave do të ketë për qëllim forcimin e besimit të qytetarëve tek sistemi i drejtësisë. Në këtë kuadër ai u ndal tek krijimi i Gjykatës Administrative, e cila do të sigurojë barazinë para ligjit në proceset gjyqësore mes individëve dhe organeve administrative. “Ato pengesa që kanë ardhur deri tani prej një cinizmi politik, nga ana e opozitës, duhet të tejkalohen. Është rasti që nëse vërtet opozita, dhe unë besoj që opozita është e orientuar drejt interesit publik, për drejtësinë para ligjit, është një rast ekselent, ku opozita t’i bashkohet jo thjesht iniciativës së mazhorancës, por t’i bashkohet qëllimit të vënies në dispozicion të interesit publik, të këtij instrumenti, që është një instrument shumë i rëndësishëm për zgjidhjen e konflikteve administrative”.