Fushë-Krujë,shpëtim Ziza refuzon ushqimin, deklaron se është i pafajshëm
I akuzuar për përdhunimin dhe më pas vrasjen e të miturit Bekim Çenga, Shpëtim Ziza refuzon prej pesë ditësh ushqimin. Për këtë arsye, adoleshenti, i dënuar me “burgim të përjetshëm”, është transferuar në sektorin e mjekimit, ku edhe është nën kujdesin e mjekëve. Sipas burimeve zyrtare nga burgi i Fushë-Krujës, Ziza disa ditë pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë, ka refuzuar të gjitha vaktet e ushqimit. Mësohet se adoleshenti ka ngritur pretendimin se është dënuar gabimisht nga ana e gjykatës dhe se nuk është ai autori i vrasjes së të miturit Bekim Çenga. I dënuari pretendon se ai ka qenë prezent në vrasjen e të miturit, por nuk e ka kryer ai krimin makabër. Këtë pretendim Shpëtim Ziza e ka paraqitur edhe disa ditë më parë në Gjykatën e Apelit, Tiranë, duke i shpjeguar gjykatës se autori i vërtetë i vrasjes ishte pikërisht Ermal Shulku. Sipas burimeve, disa ditë më parë gjendja e Zizës është përkeqësuar, çka ka bërë që drejtoria e burgut të marrë masa emergjente. Ndaj dhe 19-vjeçari është transferuar në dhomat e mjekimit, duke u mbajtur nën përkujdesin e mjekëve. Burimet nga burgu i sigurisë së lartë kanë shpjeguar se gjendja e të dënuarit është nën kontroll. Ky i fundit do të qëndrojë nën kujdesin e mjekut të institucionit, derisa të përmirësohet totalisht, në mënyrë të tillë që të rikthehet në qelinë e tij. Ngjarja për të cilën akuzohet Ziza ka ndodhur më 23 tetor të vitit 2007. Nga hetimet ka rezultuar se Ziza ka marrë të miturin Bekim Çenga dhe e ka shpënë në një shkurre, ku ai e mbante si strehë, me argumentimin se do të luanin bashkë. Sipas hetimeve të akuzës, Ziza, pasi i kishte kërkuar të kryenin marrëdhënie homoseksuale bashkë, e ka përdhunuar, por duke parë që fëmija mund të tregonte ngjarjen tek prindërit e tij, ai e ka vrarë duke e mbytur me lidhësen e këpucëve. Ai u dënua nga Gjykata e Apelit Tiranë për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “marrëdhënie seksuale apo homoseksuale” dhe “armëmbajtje pa leje”.