E Diel, 1 Nëntor 2026

Romani "Armiku i Shtetit" i S. Pones, një vepër nihiliste

>Nga Kliton MENIKU
Jetoj larg atdheut dhe zhvillimet letrare në Shqipëri i ndjek në Internet. Ndonjë vepër të mirë e porosis (kur ma mban xhepi). Një vepër e mirë të gëzon, dhe vitin e kaluar u botuan të paktën dy të tilla: "Të Jetosh në Ishull" i B. Blushit dhe "Darka e Gabuar" i I. Kadaresë. Doli dhe një roman me titull "Armiku i Shtetit" (i Stavri Pones) që më bëri kurioz nga titulli (si ata dikur: "armik i klasës", "i partisë...") dhe e mora. Desha dhe të shihja si do të ishte ai në krahasim me një roman tjetër të tij të botuar pak vite më parë, "Lotët e Trëndafilit" (2005), të cilin e kisha kritikuar ashpër. Kur e mbarova, mu duk më për qamet. Gjithsesi ngushëllova veten: Veprat e dobëta, ndonëse pjesë e llumit të letërsisë (një dukuri e pashmangshme në çdo letërsi), nxjerrin më në pah shndritjen e veprave të mëdha. Ky autor (dikur për kalamaj), po rropatet në letërsinë për të rritur, po nisur nga këto dy vepra (goxha voluminoze...) që ia kam lexuar, them se po rreh ujë në havan. (Dy romane të tjerë, që i ka reklamuar në Internet, s'mora mundimin t'i gjej.) Romani "Lotët e Trëndafilit", një lloj nostalgjie vjetrane e sëmurë, për të cilin thashë më lart se e kam kritikuar, ka qenë një skandal i vërtetë letrar. Lidhur me të do të them përsëri dy fjalë më poshtë, por tani do të mjaftohem duke thënë se në atë kohë, në Forumin "Tirana Live" në Internet, ndër lexuesit e shumtë që e kritikonin (ndokush dhe e tallte: "muzikë BBF"...) një lexuese e quante "frankenshtajn". Romani ishte vërtet i dobët, po sipas meje ajo e tepronte dhe për hir të objektivitetit tim si kritik, ju kundërvura. Për këtë roman të ri "Armiku i Shtetit" ndihem në siklet të huazoj epitetin "frankenshtajn" të lexueses që përmenda më sipër dhe më vjen keq që ndihem kështu, se pikërisht këtij romani, jo atij tjetrit, ky epitet i shkon më shumë, ndaj po bëj një kompromis duke përdorur sinonimin "i përçudshëm" ("freakish", thotë anglezi). Në roman gëlojnë vrasjet kriminale që enden si fantazma... Shokohesh nga ekzagjerimet e shfrenuara... makabriteti... hija e zezë që njollos demokracinë tonë të brishtë... që e fituam me luftë e me gjak. Dihet se vendi ynë ka probleme, disa të trashëguara nga e kaluara komuniste, por shteti i sotëm demokratik përpiqet t'i vërë në vijë, të lartësojë jetesën e popullit, por ai s'ka shkop magjik, ndaj s'është për t'u baltosur, siç bën romani i z. Pone, por meriton t'i vihen në dukje lufta dhe përpjekjet e mëdha që bën. Mirëpo z. Pone e sheh këtë realitet çlirues, të ardhur pas diktaturës komuniste, si më të keq se ajo. Është e qartë se romani synon të stigmatizojë korrupsionin shtetëror, mbrapshtitë e disa pushtetarëve, disa anë negative të realitetit të sotëm socio-politik të vendit, çka është synim i mirë, sigurisht, por e keqja është se ai ka dalë jashtë hullisë, pasi që këto anë paraqiten me përmasa të përbindshme. Diku ndodh një vrasje e dyfishtë, dhe koka që e urdhëron atë është një kryepushtetar, pra metafora, që dhe një fëmijë e kupton... është se pushtetarët tanë janë vrasës, pasi që një simbolikë letrare mbart forcën e përgjithësimit. Jo thjeshtë kjo ngjarje, po gjithë ndërthurja e romanit i shërben idesë se pushteti në Shqipëri është i molepsur nga e keqja, një e keqe që mishërohet te karakteri qendror i tij dhe që kumbon fund e krye si muzikë funebre. Ai është një person me post të lartë shtetëror dhe vizatohet me ngjyrat më të errëta si një "dracula" ose si një "Cosa Nostra guy" me gjithë të zezat: Është përdhunues, pervers, djallëzor, sadist, hajdut, mashtrues, hipokrit... ka qenë në krye të rebelimit komunist në vitin '97, ka urdhëruar vrasjen e kundërshtarëve politikë, është marrë (dhe merret) me kontrabandë droge, ka përvetësuar fabrika, ka në dorë shtypin dhe mediat televizive, është egoist e mizor, mirëpo, për çudi, ka dhe dukjen e një "babaxhani" që gëzon popullaritet dhe fiton disa raunde zgjedhjesh. Ky njeri-përbindësh, që ushqen ambicien që një ditë të bëhet edhe president (!), përveç që kurdis vrasjen e një gazetareje të TV-së që po zbulonte "horrllëqet" e tij (a thua se jemi në Rusi...), si dhe vrasjen e të dashurit të saj, është shkaktar edhe i gjymtimit fizik të djalit të vet, yllit të "rrok & rrollit" të qytetit, të cilin gjithashtu e çon në vdekje. Kësisoj romani e nxinë tej mase figurën e vërtetë të pushtetarëve tanë, për të cilët diku thuhet se u pasurokan "en bloc" edhe me pisllëqe të tjera, deri dhe me shitje armësh. E vërteta është se anë negative në shoqërinë dhe shtetin tonë ka, por ato janë të izoluara, jo tipike, mirëpo nga dendësia dhe përmasa që ato jepen në roman, vendi ynë njolloset, del sikur pushtetin tonë demokratik, popullor, e human, që është i respektuar në Evropë e kudo në botë, e paska kapur "oktapodi", dhe kësisoj e keqja gjeneralizohet tej mase. Një vepër artistike s'është raport komisioni hetimor, broshurë politike apo artikull gazete, por sociologjikisht përgjithësuese, ndaj dhe një autor, që për nga natyra e artistit presupozohet si humanist, lipset të jetë i matur e i përgjegjshëm para shoqërisë... t'i terezitë mirë raportet mes të mirës e të keqes. Po të përdorim një term të kohës së diktaturës komuniste, me këtë vepër kemi mirëfilli "nxirje të realitetit" dhe dashur pa dashur shoqërisë sonë i bëhet një shërbim absurd antikombëtar e antidemokratik. Edhe pse në roman karakteret pozitivë s'janë të pakët, roli i tyre errësohet nga negativët, ndër të cilët spikasin kryepushtetari, kryeprokurori, gjyqtari, drejtori i policisë, hetuesi, vrasësi me pagesë (kryebanditi), policët (që torturojnë të burgosurit), mafiozët e kontrabandistët, prostituta me nofkën Blu e gjer te kritiku letrar i dështuar Xha Xhai. Romani është i zymtë, me ngjarje që pështillen rreth jetës së xhunglës... Të vendosura në një vend ku s'ka zgjedhje të lira, ku policia ushtron dhunë në komisionet zgjedhore, ku kryepushtetari urdhëron jo vetëm vrasjen e gazetares dhe të dëshmitarit të asaj vrasjeje për të mbuluar krimin e tij, por sajon edhe kurthin kundër këshilltarit të vet, të cilin gjykata e korruptuar e dënon me burgim të përjetshëm. Kjo vepër është "fiction" i një mendjeje të sëmurë, shtrembërim i realitetit objektiv social e politik, dështim në synimin e saj për të stigmatizuar "krimin shtetëror", pasi nuk ekziston vija ndarëse midis një ose disa pushtetarëve individualë të këqij, nga njëra anë, dhe një pushteti të pastër në thelb, nga ana tjetër, pasi pushteti jepet tërësisht i korruptuar në të tre mekanizmat e tij: Legjislativi ("Këshilli i të Urtëve"), gjyqësori dhe ekzekutivi. Kriminaliteti monstruoz si në majën e pushtetit, ashtu edhe në gjithë distriktin, ngjall trishtim, dëshpërim e pesimizëm, gdhend një "No Exit", po të përdorim titullin e një drame të Sartrit, pasi askund ska optimizëm, por depresion moralo-shpirtëror dhe ekonomiko-social. Është i paqartë qëndrimi i vërtetë ideo-emocional i autorit ndaj "amerikanizimit të jetës" që kërkon të përhapë kryepushtetari, çka më duket një lloj qesëndie alegorike ndoshta jo dashakeqe. Kurse në romanin "Lotët e Trëndafilit", në të cilin protagonisti i çmendur i kundërvihet një profesori të famshëm amerikan, që është një person real, ironia është e qartë. Në esenë e tij për Luftën e Trojës drejtuar këtij profesori, ai hedh insinuata për demokracinë amerikane, kur e pyet profesorin: "Vallë druheni se duke bërë këtë pohim (se lufta e Heladhës kundër Trojës ishte agresive, pushtuese, gjakësore - K.M.), ca nga ky gjak mund të njollosë demokracinë tuaj "të kulluar" perëndimore?" ("Lotët e Trëndafilit", bot. II, fq. 499.) Ironia qëndron te fjala "e kulluar" që jepet në thonjëza. Një qëndrim i tillë antidemokracisë perëndimore në filozofinë e një vepre letrare shqiptare të sotme tingëllon soc-realiste, ose më shkoqur: Kinezo-realiste. Me atë atmosferë mbytëse mesjetare, inkuizicionale, me ato makabritete, kurthe e shkatërrime (edhe me tanke!), me atë shtypje të përmasave orëelliane... ky roman është nihilist. Në "storyline-in" e tij, edhe linja e gazetares që prostituohet në fshehtësi për shkak të varfërisë, është një tjetër shpifësirë. Unë do të pranoja çdo roman me krime ordinere - vjedhje, prostitucion, vrasje... që mund të ndodhi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›