Korçë; Ministrat Alibeaj e Bode inaugurojnë burgun e ri
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, do të inaugurojnë sot Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Korçë. Ndërtimi i Institutit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Korçë është bërë në kuadër të ndërtimit të një sërë burgjeve dhe ambientesh të paraburgimit financuar nga BE. Qëllimi i ngritjes së tij është përmirësimi i kushteve të jetesës së të dënuarve dhe të paraburgosurve në përputhje me standardet ndërkombëtare të BE-së. Burgu i ri i Korçës ka një kapacitet prej 350 personash. Ai është realizuar në kuadër të Programit CARDS të Bashkimit Evropian, me një mbështetje financiare që arrin vlerën 3.8 milionë euro. Ky institucion burgimi do të shërbejë për të gjithë qarkun. Ai ka zgjidhur problemin e trajtimit të duhur të të burgosurve, të cilët më parë trajtoheshin në dhomat e paraburgimit në Komisariatin e Policisë Korçë, në kushte jo të mira banimi. Ky ndërtim përputhet me kërkesat për një sistem modern burgjesh dhe ka hapësira për edukim, punë, ndihmë mjekësore, argëtim, aktivitete kulturore dhe ripërfshirje. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar përherë kur është folur për të dënuarit dhe burgjet se këto të fundit nuk duhet të shërbejnë vetëm si institucione ndëshkimore, por në të ne duhet të përgatisin kthimin e sigurt të të dënuarve në shoqëri. Prandaj, respektimi i të drejtave të njeriut është jashtëzakonisht i rëndësishëm në mjedisin e burgut. Sistemimi i personave të paraburgosur dhe të burgosur në këtë burg do të ndikojë në uljen e mbipopullimit, si dhe do të krijojë kushte më të mira trajtimi për sa i takon kubaturës, kushteve higjieno-sanitare, të banimit dhe të fjetjes, të ngrohjes, të edukimit, të ajrimit etj., në funksion të trajtimit më njerëzor dhe riintegrimit në shoqëri. Përforcimi i kapacitetit të sistemit shqiptar të burgjeve, në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare është një nga qëllimet kryesore të bashkëpunimit të Komisionit Evropian me qeverinë shqiptare. Bashkimi Evropian ka parashikuar në vitet e ardhshme një shumë totale prej 15.5 milionë eurosh për ndërtimin e burgjeve dhe qendrave të reja të paraburgimit. Krahas investimeve të huaja në ndërtimin e infrastrukturës së Institucioneve të Vuajtjes së Dënimit, investime janë bërë edhe nga buxheti i shtetit, si spitali për të burgosurit në Durrës, paraburgimet në Korçë, në Fushë–Krujë dhe Vlorë.