E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti, shenjtorët dhe shqiptarët

Edmond Tupja 

Il vaut mieux s’adresser à Dieu qu’à ses saints”, thotë frëngu proverbialisht D.m.th. “Më mirë drejtoju Zotit sesa shenjtorëve”. E vërtetë? E pavërtetë? Relative? Le të themi e diskutueshme, sidomos në Shqipërinë e sotme. Sepse, dikur, para rënies së komunizmit hoxhist, individi i pafuqishëm përballë shtetit totalitar dhe administratës së tij (e cila, me zellin e saj servil, shkonte edhe më larg se vetë diktatura), kishte interes t’i drejtohej Zotit, sigurisht jo atij që fetë e vendosin në qiell, aq më tepër që ai ishte i ndaluar në Shqipërinë komuniste, por atij që e kishte zëvendësuar Atë duke e përzënë nga toka, pra, Diktatorit dhe jo sekretarëve të tij në rang Republike; Ministrit dhe jo zëvendësve të tij në rang dikasteri, Sekretarit të Parë të Partisë për rrethin dhe jo ndihmësve të tij etj., etj., e kështu me radhë për njësitë partiake apo shtetërore të niveleve më të ulëta. Pra, siç thuhej në atë kohë, duhej ta kishe mirë me të Madhin, sepse ai të mbaronte punë, kurse vartësit e tij, dashur pa dashur, të sorrollasnin (jo aq për faj të tyre sesa për faj të sistemit), dhe kjo ishte e vërtetë për gati të tëra hallkat e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, si edhe në ushtri e në polici.
Po sot? Megjithëse Zoti ka rizbritur në tokën shqiptare pas një mërgimi zyrtar disadhjetëravjeçar, praktika vërteton se proverbi frëng tek ne është vetëm pjesërisht i zbatueshëm: sigurisht, në institucionet fetare të rihapura, kisha apo xhamia qofshin ato, shqiptarët lusin Zotin (shpesh për qëllime fare praktike, për të mos thënë pragmatiste), por ndodh rëndom që ata t’i përmbysin termat e proverbit frëng, pra, për ta “Më mirë drejtoju shenjtorëve sesa Zotit!”. Kështu, ata kanë rinisur t’i drejtohen, për shembull, Shën Ndout a ndonjë shenjtori tjetër; janë shtuar gjithashtu gjysmë-shenjtorët, sidomos gjysmë-shenjtoret që “shërojnë”, bëjnë të “mbarsen” gratë shterpë, “largojnë” grindjet nga familjet etj., etj.
Nga ana tjetër, në marrëdhëniet e tyre të përditshme me administratën shtetërore, shqiptarët po e kuptojnë, edhe pse nuk dinë të tërë frëngjisht ose, edhe kur dinë sadopak, nuk janë në dijeni të ekzistencës së proverbit të lartpërmendur, që shpesh ia vlen më mirë (dhe ndoshta u bie më lirë) t’u drejtohen shefave të vegjël, “shenjtorëve” gati anonimë, pa ngjyrë, pa erë e pa shije, për të zgjidhur problemet shpesh të bezdisshme me të cilat përballen thuajse rregullisht. Pse kështu? Sepse, bashkëshortet, fëmijët, vëllezërit e motrat, si edhe miqtë e ngushtë të shenjtorëve gjehen, takohen kapen më lehtë se ata të Zotit (d.m.th. të kryeministrit, presidentit, kryeparlamentarit, kryebashkiakut, kryegjykatësit, kryeprokurorit – blu apo rozë, pak rëndësi ka – dhe të krerëve të të gjitha hallkave të tjera që, fatmirësisht, nuk kam as vend, as kohë e as ndonjë dëshirë të veçantë për t’i përmendur këtu në mos me emër, të paktën me ofiq). Përveç kësaj, të mos harrojmë se Zoti në fjalë (në të tëra trajtat e sapopërmendura) ua var shumë më pak familjarëve e të afërmve të tij se shenjtorët që e rrethojnë ua varin të tyreve.
Gjithsesi, problemi që më shqetëson personalisht është moral: Zoti tokësor, i përkohshëm, rrjedhimisht i pamëshirshëm, të cilit shqiptarët ngurrojnë përherë e më shumë t’i drejtohen, duke parapëlqyer t’u drejtohen “shenjtorëve” të tij, edhe këta të përkohshëm, rrjedhimisht gati të pamëshirshëm, ky Zot, pra, u shfaqet atyre me disa fytyra, kjo në varësi të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, por edhe të atyre vendore; fytyra e tij herë blu dhe herë rozë, që merr nuanca të larmishme sipas aleancave që dy partitë e mëdha formojnë me partitë e tjera, bën që njerëzit të thonë se Ai është me “disa fytyra” dhe se nuk merret vesh se ç’të pret prej tij; disa syresh, gati nostalgjikë të komunizmit kanibalesk shqiptar, mendojnë se të paktën diktatori Hoxha ishte me “një fytyrë”, për mua sigurisht të llahtarshme, por një ama, dhe njeriu, me një minimum zgjuarsie dhe nuhatjeje, e dinte se çfarë e priste!
Së fundi, problemi im moral koklavitet kur mendoj se ç’zgjedhje do t’i duhet të bëjë njeriut shqiptar, homo albanens, midis Zotit të përjetshëm, Deus æternus, i cili, për fetë monoteiste të konsoliduara, është një nocion abstrakt, pra, “pa fytyrë”, dhe Zotit të përkohshëm, Deus temporalis (kryetar shteti, president Republike, kryetar Kuvendi, Bashkie etj., etj...), që tregon “disa fytyra”. Për këtë zgjedhje, ai dhe vetëm ai do të mbajë përgjegjësi të paktën para ndërgjegjes së vet. Sipas meje, do të ishte më e moralshme që Zoti i përkohshëm të na shfaqej, të paktën herë pas here, me një fytyrë, me atë të vërtetën. Për të mirën tonë. Për të mirën e tij gjithashtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›