E Diel, 1 Nëntor 2026

Migrena, femrat vuajnë 3 herë më shumë se meshkujt



Kura trajtuese për migrenën. Terapia e kësaj sëmundjeje bëhet në dy shtylla: terapia akute dhe terapia profilaktike (parandaluese).

Migrena është një sëmundje neurologjike me dhimbje pulsative të kokës e shoqëruar me nause, vjellje, ndjeshmëri ndaj dritës, zërave dhe ndaj aromave.

Simptomat

Fillon me simptoma prodromale, gjysmë deri një orë para kokëdhimbjes, me eufori, depresion, lodhje, puls të shpejtuar, anoreksi.

Pastaj vijon dhimbja e fortë e kokës në të shumtën e rasteve vetëm nga njëra anë, por jo gjithnjë. Gjatë aktiviteteve trupore keqësohen simptomat. Shpesh shoqërohet kokëdhimbja me nause, vjellje, fotofobi dhe fonofobi.

Faktorët të cilët ndikojnë dhe shkaktojnë dhimbje koke janë: stresi, ndryshimi i bioritmit, mungesa e gjumit, ushqimi (djathi, çokollata, çaji, bananet, lajthia, arra, bajamja), alkooli, droga, ndryshimi atmosferik si dhe ndryshimi hormonal tek femrat.

Format

Eksitojnë dy lloje kryesore të migrenës: migrena me aurë dhe migrena pa aurë. Aura zgjatë deri në 60 minuta. Ajo paraqitet me halucinacione optike.

Prevalenca

Nga migrena vuajnë 18% e grave dhe 6% e meshkujve. Ajo manifestohet për herë të parë rreth moshës 25 deri 45-vjeçare. Deri në pubertet vuajnë meshkujt dhe femrat në përmasa 1 me 1, pastaj në moshën e rritur, femrat vuajnë 3 herë më shumë se meshkujt.

Diagnoza

Diagnoza e migrenës bëhet nga pyetja e saktë e pacientëve si dhe nga studimi i historisë së sëmundjeve të pacientëve. Metoda speciale laboratorike për diagnozën e migrenës nuk ekzistojnë. Pra, migrena është sëmundje e cila me mjete të mjekësisë nuk mund të verifikohet pa probleme. Mirëpo me ndihmën e Elektroencefalografisë (EEG), Kompjutertomografisë (CT), Ultrazërit, mund të përjashtohen dhimbjet e shkaktuara nga tumoret, gjakderdhja në tru etj.

Patogjeneza

Edhe pse patogjeneza nuk është plotësisht e sqaruar, në vitet e fundit është grumbulluar evidencë, sipas së cilës kjo sëmundje është të paktën pjesërisht një kanalopati (ang. channelopathy). Kanalopatitë janë sëmundje kryesisht gjenetike, që kanë si shkak një çrregullsi të përçimit të joneve në kanalet jonike të membranave qelizore. Shtysa kryesore e kësaj hipoteze ishte zbulimi që Migrena Familiare Hemiplegjike (ang. Familial Hemiplegic Migraine, FHM), megjithëse një formë e rrallë migrene, është një sëmundje trashëguese e tipit autozomal dominant me mutacione të gjeneve në kromozomin e 19, që bëjnë kodimin e kanaleve të kalciumit (Ca2+) të veçanta për neuronet.

Kjo shpjegon edhe faktin që bllokuesit jospecifikë të kalciumit kanë rol preventiv në këtë patologji. Shumë premtuese qe për një kohë të gjatë hipoteza e "spreading depression" (e vëzhguar së pari më 1944 nga Leao në trurin e lepurit pas shpimit me gjilpërë), por mosvërejtja e këtij fenomeni tek njerëzit in situ e ka pothuajse shuar entuziazmin në këtë drejtim.

Mekanizmi që sjell dhimbjen e kokës në rastin e migrenës, i studiuar për një kohë të gjatë nga Moskowitz.

Fillimisht migrena gjenerohet në trungun e trurit (Truncus cerebri). Por substanca e trurit në vetvete nuk dhemb, janë meningjet (cipat e trurit) e enët e gjakut, ato që dhembin. Kështu me anë të një sistemi trigeminovaskular (sidomos V1), nervat aferente sensoriale trigeminale perivaskulare stimulohen dhe sjellin çlirimin e neuropeptideve vazoaktive (ndër të tjerash Substancën P, NO), që rezultojnë në zgjerimin/fryrjen lokale të enëve të gjakut e shkaktimin e informacionit qendror nociceptiv. Pasojnë një varg impulsesh dhimbjeje të neuroneve qendrore të rangut të dytë e të tretë, si dhe aktivizimi i trungut të trurit, që sjell simptomat anësore. Fakti që simptomat prodromale, si p.sh. aura, skotoma, që vijnë nga procese qendrore, si p.sh. nga korja okcipitale, shpjegohen shumë mirë nga modeli i mësipërm, pasi ato nuk varen nga mekanizmi i dhimbjes, por direkt nga gjenerimi qendror i migrenës.

Mjekimi i migrenës

Terapia e migrenës bëhet në dy shtylla: terapia akute dhe terapia profilaktike (parandaluese).

Terapia akute

Për rastet akute të dhimbjes së kokës preferohen: triptanet: sumatriptani, zolmitriptani, eletriptani, rizatriptani, naratriptani dhe frovatriptani. Anti-inflamatorët: acidi acetylsalicik (aspirinë), paracetamol, ibuprofen. Antiemetikët (kundër vjelljes): domperidon. Gjithashtu, edhe ergotamini, dihidroergotamini.

Terapia profilaktike

Për parandalimin dhe reduktimin e paraqitjes së dhimbjes: betablokues: metoprolol, propranolol. Bllokues të kanalit të kalciumit: flunarizin. Gjithashtu, si medikamente të dorës së dytë: valproat, topiramat.

Si metoda pa medikamente vlen të përmenden qetësimi në dhoma të errëta pa zhurmë, terapia aromatike dhe trajnimi autogjen.

Para marrjes me seriozitet të ndonjë recete ose informate për të aplikuar te ju ose ndonjë person tjetër, ju lutemi shikoni udhëzimin rreth artikujve të mjekësisë!

Nëse ju, pasi keni lexuar artikullin dhe udhëzimet mbi këto artikuj, keni aplikuar përmbajtjen e artikullin te ju ose në ndonjë person tjetër, atëherë ju merrni tërë përgjegjësinë mbi pasojat.

Komplikimet

* Migrena kronike: më shumë se 15 ditë në muaj kokëdhimbje.

* Statuti i migrenës: 72 orë pa ndërprerje të dhimbjes së kokës.

* Infarkti i migrenës: dëmtimi i trurit si pasojë e migrenës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›