OST: Tiranë-Podgoricë, gati procedura e shpronësimeve
Dokumentacioni tek METE-ja, pritet shqyrtimi nga komisioni
Linja e interkonjeksionit 400 kv ka një gjatësi 125.3 km
Pronarët, toka e të cilëve do të përdoret për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kv Tiranë-Podgoricë, shumë shpejt pritet të shpronësohen. Është bërë gati dokumentacioni dhe pritet të shqyrtohet nga komisioni i posaçëm. Burime zyrtare nga OST-ja sqaruan se me marrjen e tokës në përdorim të përkohshëm, lidhet edhe akti i marrjes në përdorim të përkohshëm midis pronarit dhe OST-së dhe firmoset nga të dy palët. Më pas, këtij akti do t’i bashkëlidhen dokumentet e pronësisë (certifikata e pronësisë e marrë nga ZRPP-ja). “Me plotësimin e këtij akti, pronarët do te paguhen menjëherë për përdorimin e përkohshëm të pronës dhe për dëmin e shkaktuar ku afati i përdorimit për qarkun e Shkodrës do të jetë 2 vjet, pra paguhen ata persona që janë pronarë të pasurisë pronë private”, - thonë burimet e OST-së. OST sh.a. nga ana e saj merr përsipër dhe garanton pronarin e tokës se do të kryejë pagesat në masën dhe afatet e përcaktuara në akt. Për sa i përket procedurës së shpronësimit, është duke u përgatitur procedura e cila do të dërgohet pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës e cila do të shqyrtohet nga komisioni i posaçëm i shpronësimit pranë kësaj ministrie.
OST-ja ka sqaruar se për sa u përket pagesave për shpronësimin definitiv, do të bëhen mbas daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave. Linja 400 kv Tiranë-Podgoricë ka në pjesën e territorit shqiptar një gjatësi të përgjithshme prej 125.3 km. Pjesa Tiranë-Vau i Dejës (80.3 km) do te jetë me shtylla për dy qarqe dhe pjesa Vau i Dejës-kufi (45 km), me shtylla për një qark. Kontraktor për ndërtimin e kësaj linje është kompania kroate DALEKOVOD. Kontraktori ka përfunduar projektin e linjës dhe ka bërë piketimin e trasesë së saj. Punimet civile kanë filluar në muajin shkurt 2008 dhe kryhen nga dy kompani nënkontraktore: Firma TREMA kryen punimet për lotin e parë që përfshin zonën nga shtylla e parë në kufi (Hani i Hotit) deri në shtyllën 202 (Ura e Milotit). Firma RGT Group kryen punimet për lotin e dytë që përfshin zonën nga shtylla 203 (Ura e Milotit) deri në shtyllën 323 (N/stacioni i ri 400 kv Kashar).
Linja kalon në katër qarqe të vendit:
-Në qarkun e Shkodrës linja ka një gjatësi prej 59 km
-Në qarkun e Lezhës linja ka një gjatësi prej 41 km
-Në qarkun e Durrësit linja ka një gjatësi prej 14 km
-Në qarkun e Tiranës linja ka një gjatësi prej 11 km