Haxhi eurogol në Qipro, Myrtaj i shënon Ujkanit
Leonard Karaj
Altin Haxhi shënon në Qipro, Myrtaj i bën gol as më shumë dhe as më pak se Samir Ujkanit në Seria C1 në Itali. Ndërsa mjaft e zbehtë ka qenë java për një pjesë të madhe të legjionarëve. Kapllani e Berisha nuk kanë prekur asnjë top në Gjermani, ndërsa Cana në Angli dhe Dallku, Curri e Januzi në Ukrainë kanë regjistruar humbje. Ndërkohë, Altin Haxhi ka shënuar një gol spektakolar dje në ndeshjen Apop Kinyras Peyias-Apoel Nicosia në kampionatin qipriot të futbollit. Mëngjarashi gjirokastrit ka luajtur si titullar me Apoel dhe në minutën e 31-të të pjesës së parë ka realizuar një eurogol nga jashtë zone duke sigluar edhe avantazhin e përkohshëm për skuadrën e tij. Fatkeqësisht goli i Haxhit nuk ka mjaftuar që Apoel të merrte tri pikë në transfertë pasi vendasit janë rikthyer në lojë dhe përmbysën rezultatin në pjesën e dytë nga 1-2 në 4-3. Për t’u theksuar është fakti se edhe pse në një moshë drejt fundit të karrierës futbollistike Haxhi ka treguar një formë të mirë duke qenë edhe i vetmi futbollist shqiptar që luan gjithnjë si titullar dhe aktivizohet në Champions League në fazën e grupeve.
Itali
Samir Ujkani ka fituar duelin me Florian Myrtajn në Serie C1. Novara e portierit kosovar të ekipit tonë kombëtar arriti të fitonte 2-1 ndaj Sorrentos së Myrtajt, por ajo çka binte në sy ka qenë fakti se për “miqtë” golin e vetëm e ka shënuar pikërisht Myrtaj. Megjithatë, mediat italiane raportonin një lojë shumë të mirë të Ujkanit, i cili mbrojti portën e tij në dy raste shumë të rrezikshme, një prej të cilëve me autor sërish Myrtajn. Ndërkohë po në këtë kategori Ravena e Filipit nuk ka shkuar më shumë se nje barazim në shtëpi me Spal. Si titullar në ndeshjen e djeshme në Serie A është aktivizuar edhe Bogdani në Kievo-Lacio.
Gjermani
Iku nga Bundesliga 1, nga Karslruher sepse nuk luante rregullisht, por as tek një skuadër inferiore si Augsburgu Edmond Kapllani nuk po arrin të luajë qoftë edhe një minutë loje. Edhe pse janë zhvilluar katër javë, sulmuesi shqiptar nuk është aktivizuar në asnjë takim për asnjë sekondë. Në të njëjtën situatë është edhe Altin Lala, por ky i fundit është i dëmtuar. Ndërsa janë aktivizuar me pikatore Hyka te Manzi dhe Berisha të Bielefeldi. Ndërkohë që humbje kanë regjistruar në Ukrainë treshja shqiptare Dallku-Curri-Januzi, Vorskla e të cilëve është mundur 1-0 në transfertë me Tavria. Ndërsa ditën e shtunë humbje sigloi edhe Lorik Cana në Premier League, Sanderlendi i të cilit humbi në transfertë me Stoke. Cana u ndëshkua edhe me karton të verdhë.