Krim në familje, vret gruan dhe veten
Etleva Delia
“Jeta është kot. Unë jam budalla dhe rroj me iluzione. Unë të kam dashur, por t’i më ke zhgënjyer... “. Këto kanë qenë disa nga fjalët e fundit, të hedhura në një copë letër nga 58-vjeçari Skënder Meshi, i cili vrau dje bashkëshorten, Dylbere Meshi dhe më pas qëlloi edhe veten me pistoletë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 11:20, në një lokal tek “Selvia” në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake të policisë, Skënder Meshi qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, Dylbere Meshi (Balla), 56 vjeç, në kushtet e një depresioni të rënduar psikik. Pak sekonda më pas, vrasësi i gruas qëlloi edhe veten. çifti Meshi, me origjinë nga Kukësi dhe banues në një fshat të Lezhës, prej një viti jetonin të ndarë nga njëri-tjetri pas një divorci formal. Shkak për ndarjen ishte bërë depresioni që po kalonte bashkëshorti Skënder Meshi. Dyshohet se për këtë arsye gruaja e tij ishte larguar nga banesa dhe së fundmi jetonte me fëmijët e saj në pallatin përballë lokalit ku ndodhi vrasja, tek “Selvia” në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se Dylbere Meshi kishte nisur procedurat e divorcit, gjë që siç duket, nuk është pranuar nga i shoqi, i cili dje kishte ardhur nga Lezha që ta takonte, për të biseduar për këtë vendim që ish-bashkëshortja e tij kishte marrë. Debati i djeshëm mes tyre jo vetëm që nuk arriti të bashkonte familjen e ndarë prej një viti, por është kthyer në një tragjedi me dy viktima.
KRIMI NE FAMILJE
Personi i cili vrau gruan e tij në lokal është një 58-vjeçar, ish-oficer i ushtrisë. Ai ka mbërritur që herët në mëngjes në Tiranë për të takuar bashkëshorten, e cila prej një viti kishte vendosur të mos jetonte me të, duke banuar në shtëpinë e fëmijëve. Skënder Meshi, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Lezhë, është ulur në një lokal përballë pallatit ku së fundmi jetonte bashkëshortja Dylbere Meshi. Ai i ka telefonuar asaj duke i thënë se donte ta takonte. Pasi i shoqi e ka pritur për disa minuta vetëm në lokal, e shoqja ka shkuar dhe është ulur në tavolinë. Biseda e tyre ka zgjatur fare pak minuta e në një moment, Skënder Meshi është ngritur në këmbë, ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe e ka qëlluar në kokë 56-vjeçaren, duke e lënë të vdekur në vend. Brenda pak sekondash, pasi ka vrarë nënën e tre fëmijëve të tij, Skënder Meshi është ulur sërish në karrige dhe ka drejtuar armën nga vetja, duke u vetëvrarë, me një plumb në kokë. Policia u lajmërua nga pronari i lokalit dhe menjëherë shkoi në vendin e ngjarjes, duke rrethuar vendin e krimit për të siguruar provat hetimore. Sipas burimeve nga policia, duket se vrasja është kryer me paramendim nga 58-vjeçari Meshi, të cilit iu gjet edhe një letër në xhepin e pantallonave, të cilën e kishte shkruar për të shoqen, por që nuk arriti t’ia jepte për shkak të rrjedhës së ngjarjeve. Policia tha se autori i ngjarjes mbante me vete edhe një çantë të zezë, të mbushur plot me ilaçe antidepresivë. Shkak për ndarjen e çiftit Meshi ishte bërë pikërisht depresioni i bashkëshortit, i cili kishte filluar të shfaqte edhe shenja dhune.
Dëshmitari: Gruaja kërkoi ndihmë, ai e vrau shpejt
TIRANE - Në momentin e vrasjes së gruas dhe më pas vetëvrasjes së 58-vjeçarit, në lokalin ku ata ndodheshin, qëndronin shtatë persona. Skënder dhe Dylbere Meshi që mbetën të vrarë, tre klientë në një tavolinë pranë tyre si dhe pronari i lokalit me gruan e tij. Asnjëri prej tyre nuk kishte vënë re asnjë gjë të pazakontë tek autori i krimit, Skënder Meshi. Sipas pronarit të lokalit, Artur Dalipi, vrasësi ishte shumë i qetë dhe sjellja e tij ishte krejt normale. Pronari i lokalit e shpjegoi ngjarjen në një intervistë për “Panorama”.
A mund të na thoni diçka për ngjarjen që ndodhi në lokalin tuaj?
Burri kishte pothuajse 30 minuta që ishte ulur në lokal dhe porositi një makiato. Mund të them që ende nuk kishte shkuar ora 11:00, kur ai erdhi dhe u ul në një tavolinë në verandë. Gjatë gjithë kohës fliste në telefon, mesa duket me gruan, e cila erdhi më pas. Edhe ajo porositi një makiato.
Vutë re ndonjë shqetësim tek ata, a debatonin me njëri-tjetrin?
Jo, asnjë lloj shqetësimi, madje gjërat dukej sikur po shkonin shumë normalisht. Nuk dëgjuam as ngritje zëri, as debat me zë të lartë, as kërcënime, asgjë.
Nuk pati asnjë konflikt mes tyre para vrasjes?
Për çudi ne nuk pamë asgjë të tillë. Në një moment, kur unë ndodhesha tek dera e lokalit dhe gruaja kishte gati dy minuta që ishte ulur, ai u ngrit në këmbë, nxori pistoletën dhe ia drejtoi në kokë. Në atë moment gruaja u drejtua nga tre klientët e tjerë që ndodheshin në tavolinën tjetër dhe kërkoi ndihmë, por askush nuk pati kohë ta ndihmonte, pasi ai e qëlloi menjëherë dhe ajo ra me kokë në tavolinë.
Po më pas, i shoqi kreu menjëherë vetëvrasjen?
Jo, nuk e bëri menjëherë. Pa rreth e rrotull, klientët e tjerë u larguan, njëri u fut brenda në lokal dhe dy ikën me vrap. Ai qëndroi për disa sekonda në këmbë, duke parë gruan e gjakosur, u rrotullua dhe më pas u ul sërish në karrige. Për pak sekonda drejtoi pistoletën në kokën e tij dhe e shkrepi, duke vrarë edhe veten. Menjëherë lajmërova policinë.