E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riberi, lojtari i Realit të Madridit në vitin 2010

Frenk Riberi do të jetë "bomba" në merkaton e Realit të Madridit për sezonin e ardhshëm. Sipas së përditshmes spanjolle, "As", transferimi i yllit francez në "Santiago Bernabeu" mund të quhet i përfunduar. Presidenti i klubit "merengue", Florentino Perez, ka arritur marrëveshjen me menaxherin e futbollistit të Bajernit të Mynihut, Alen Miljaço: kontratë 5-vjeçare, ndërsa detajet për rrogën e mesfushorit nuk janë përcaktuar ende. Gjithsesi, mendohet se ashtu si Kristiano Ronaldo apo Kaka, edhe përfitimet e Riberi do të jenë stratosferike. 26-vjeçari do t‘i bashkohet "galaktikëve" një vit përpara skadimit të kontratës me bavarezët. Në këtë mënyrë edhe klubi gjerman do të jetë i detyruar të pranojë ofertën madrilene, me vlerë rreth 25 milionë euro, për të mos e humbur lojtarin në vitin 2011, me parametër zero. Për realizimin me sukses të negociatave ndërmjet Realit dhe Riberi, vendimtar ka qenë ndërmjetësimi i Zinedin Zidan, që në kohën kur ai ishte aktiv në futboll, kishte si menaxher pikërisht Miljaçon. Më në fund, Bekenbauer do të jetë i detyruar që të hapë dyert e "Alianz Arenas", e të shohë lojtarin më të mirë të skuadrës të largohet. Ai dhe krerët e tjerë të Bajernit duhet të "nënshtrohen" përballë vullnetit të Riberisë. Kjo sepse në të kundërt, do të hynte në lojë Federata Ndërkombëtare e Futbollistëve, e cila ka bërë të ditur se, nëse lojtarit nuk do t‘i jepet leja për t‘u larguar, çështja do të kalojë për shqyrtim në Gjykatën Europiane. "As" nuk harronte të theksonte se pak javë më parë, në zyrat e Bajernit mbërriti një ofertë "formale" nga Madridi: 55 milionë euro, për transferimin e Frenk Riberisë që prej këtij sezoni. Por gjermanët nuk pranuan, pavarësisht se pas 12 muajve kalendarikë mund ta humbasin futbollistin për më pak se gjysmën e kësaj shifre. Lajmi i publikuar nga gazeta mund të cilësohet i besueshëm, për vetë lidhjen që kjo media ka me presidentin Perez.

Kaka

Reali është shfaqur i frikshëm në miqësoren që zhvilloi në Toronto, me skuadrën vendase. Përpara 22 mijë spektatorëve, spanjollët dhuruan spektakël falë golave të Raul (13‘ e 26‘), Kristiano Ronaldos (18‘), Karim Benzema (65‘) dhe Arjen Roben (86‘). Madrilenët fituan me rezultatin 5-1, duke treguar shenja të dukshme përmirësimi me përfshirjen në skuadër të blerjeve të reja: Kaka, Ksabi Alonso dhe Albiol regjistruan debutimin me fanellën "merengue". Kapiteni Raul ka treguar edhe një herë se është një element shumë i rëndësishëm për skuadrën, ndërsa "goli i nderit" për Toronton u realizua nga Gala. Turi amerikanoverior i "galaktikëve" do të vazhdojë me ndeshjen që luhet sot në Uashington, kundër DC Junajtid. Kaka është dukur mjaft i kënaqur pas ndeshjes së parë me ekipin e ri, edhe pse nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës. "Jam shumë i kënaqur për lojën time. Ishte vetëm një ndeshje përgatitore, por këto miqësore janë të rëndësishme për të fituar ritmin e duhur. Nuk shënova, por detyra ime kryesore është të krijoj aksione. U ndjeva komod përkrah shokëve skuadrës dhe me skemat e lojës", u shpreh Kaka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›