Mikael Shumaker: Dua sërish titullin
Formula 1
Piloti gjerman i Mercedes GP përcakton afatin: Në tre vjet kam shanse të mira
Mikael Shumaker kthehet në Formula 1 me Mercedes GP, por shtatë herë kampioni i botës nuk ka ndërmend që prezenca e tij në pistë të jetë thjesht sa për të plotësuar numrin. Piloti gjerman ka konfirmuar për “Bild” se objektivi i tij është që të shpallet sërish kampion bote. “Në projektin tonë afatgjatë me Mercedesin kemi përcaktuar një objektiv të qartë: unë dëshiroj të shpallem përsëri kampion i botës”, deklaroi Shumaker. “Mund të ndodhë që kjo të mos realizohet menjëherë, por duke pasur parasysh se do të garoj për tre vitet e ardhshme, mendoj se kam shanse të mira për t’ia arritur”. Shumi nënvijëzoi se nuk e kishte menduar asnjëherë rifillimin e karrierës si pilot, deri në momentin që Ferrari i propozoi të zëvendësonte Felipe Masën, i cili ishte aksidentuar rëndë. 41-vjeçari bëri gjithashtu të ditur se nuk kishte pasur asnjë kontakt gjatë vjeshtës me Ros Braun, ish-shefin e inxhinierëve kur garonte te Beneton dhe te Ferrari.
Për sa u takon dhimbjeve në qafë, të cilat i janë shkaktuar pas një rënieje në garat me motorë dhe që nuk e lejuan të zëvendësonte Masën, Shumaker është shprehur i qetë. “Në të kaluarën nuk kam arritur të zhvilloj muskujt në këtë pjesë të trupit tim në mënyrë që të mos ndieja dhimbje. Por, mendoj se është normale që të ndiej disa shqetësime të vogla”, tha ai. Për pilotin, as mosha e madhe nuk përbën ndonjë problem që të jetë konkurrues përballë pilotëve si Alonso, Hemilton, Fetel, Baton e Masa. Megjithatë, ish-ferraristi ka shpjeguar se 41 vitet mbi shpinë e kanë detyruar të ndryshojë metodën e punës. Gjatë këtyre ditëve ai ka zhvilluar testime intensive në pistën e Jerez de la Frontieras me një makinë GP2, në mënyrë që të arrijë gjendjen optimale fizike: “Për të qenë i sinqertë stërvitem më pak nëse e krahasoj me stërvitjen e së kaluarës. Megjithatë, përgatitjet e mia janë më efikase dhe kanë objektiva më të qartë”. Mikael Shumaker u tërhoq nga karriera si pilot në vitin 2006, ndërsa në F1 ai ka regjistruar 68 “pole position” dhe ka fituar 91 gara.
#