E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia frenon për Hidink, del Huande Ramos

“Gazprom vë kushte dhe merr përsipër pagimin e rrogës së trajnerit të Kombëtares
Mund të ketë zhvillime të reja në lidhje me Gus Hidink në pankinën e Rusisë. “Gazprom”, kolosi i gazit rus, është shprehur i gatshëm të paguajë rrogën e teknikut holandez, pasi “Russian National Academy: ka vendosur të pezullojë pagesën për trajnerin e kombëtares së Rusisë. Por vendimi i “Gazprom” është i lidhur me disa kushte. Shoqëria është e gatshme të marrë vendin e padronit të çelsit, Roman Abramoviç, financuesit të “Academy”-së, dhe të paguajë rrogën e Hidink.
Por, duke iu referuar mediave ruse, kjo mund të ndodhë vetëm nëse Sergei Fursenko, ish-nëpunësi i Gazprom, do të zgjidhet president i Federatës Ruse të Futbollit. Ndërhyrja e Gazpromit do t’i garantonte RFU-së, federatës ruse, qëndrimin e Hidink në drejtimin e kombëtares. Për momentin Fursenko duket më i përmbajturit, pasi po përgatitet për takimin me Hidink, që më shumë mundësi do të ndodhë gjatë kësaj jave, ose në fund të javës së ardhshme.
“Si fillim do të duhet të zgjidhem president, ka shpjeguar ai, dhe më pas do të vendosim sërish për çështjet që janë ende të hapura”. Rusia ose Juventus, pra, ende nuk ka asnjë gjë të qartë në lidhje me të ardhmen e Gus Hidink. Ndërkohë që nga Spanja del në pah një tjetër kandidaturë. Sipas transmetuesit radiofonik “Cadena Ser”, objektivi i Juves është Huande Ramos, ish-trajneri i Seviljes, Totenhemit, Realit të Madrid dhe CSKA të Moskës. Ky nuk është problemi i vetëm i Juventusit. Pas një muaji stop për shkak të operimit në mesnik, Xhixhi Bufon është gati të rikthehet. Vetë portieri, përmes faqes në internet, ka njoftuar rikthimin në fushë: “Gjithë faza pas operimit ka ecur në mënyrën më të mirë, shpjegon ai, për më tepër të dielën pasdite në Verona, për ndeshjen kundër Kievos, mendoj që të kthehem në fushë.
Do të rikthehem për një ndeshje, që për ne do të jetë shumë e rëndësishme. Fitorja e shokëve të mi ndaj Napolit në Kupën e Italisë ka shërbyer për të ngritur moralin, por jemi të gjithë të vetëdijshëm se nuk do të jetë e mjaftueshme, nëse nuk do të jemi të aftë të tregojmë vazhdimësi rezultatesh”. Mbrojtësi ekstrem i bardhezinjve thekson rrugën që duhet ndjekur: “Do të duhet të kërkojmë të bëjmë të njëjtën gjë si në fazën e parë, kur suksesi ndaj Kievos ishte i pari i 4 fitoreve radhazi, të cilat na mundësuan të merrnim kreun e klasifikimit, por mbi të gjitha duhet të na japë vetëdije për potencialin tonë.
Tani sigurisht që situata nuk është shumë e favorshme. Duhet të zbresim në fushë për të dhënë maksimumin tonë në çdo ndeshje, të luajmë me grinte, ashtu si të mërkurën në Kupë dhe të mos e kemi mendjen te renditja”. Juve mendon edhe për merkaton. Bardhezinjtë janë gati të sfidojnë Realin e Madridit për afrimin e Frank Riberisë gjatë merkatos së verës. “Galacticos” kanë marrë informacione për talentin francez dhe presidenti Florentino Perez është i gatshëm të hedhë në pjatë një ofertë të majme.
Për momentin nuk ka asgjë zyrtare, ndërsa mësohet se Riberi është prej kohësh në listën e Juves që nga koha e Ranierit. Trajneri roman e shikonte Riberinë si lojtari i duhur për të zëvendësuar Pavel Nedved. Riberi ka nënvizuar: "Reali? Janë shumë klube që interesohen për mua dhe unë nuk dua të nënvlerësoj asnjë prej tyre. Ende nuk e kam vendosur”, përfundon ai.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›