Mikel Canka ekzekuton edhe Besën
Sulmuesi lushnjar, pas tregolëshit në sfidën me Elbasanin, rezulton vendimtar edhe me kavajasit, në një ndeshje me shumë raste të humbura
Lushnja Besa 1-0
Shënues: Canka 65
Lushnja: Bejte, Mërtiri, Ruço, Hasalla (Sulo 54), Bufasi, Topi, R.Sula (Përnezha 65), Gjoni, Byzhyti, Canka (Metushi 80), Sefa.
Trajner: S.Malko
Besa: Guma, Hoxha, Fejzullahu, Perja, Krasniqi, Duka, Mihani, Roshi (Çelhaka 49), Dhëmbi, Dushku, Hasa (Bubeqi 66).
Trajner: G.Magani.
Gjyqtarë: K.Meta, M.Dervishi, D.Sulaj (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Bejte, Byzhyti, Mërtiri, Hoxha, Mihani, Çelhaka
Lushnjarët kanë arritur të marrin një tjetër fitore, e 4-ta radhazi. Ata kanë mundur Besën në stadiumin Roza haxhiu, ku edhe pse e vështirësuan në fund, duke u kthyer të gjithë prapa, në ruajtje të rezultatit, arritën të bëjnë figurë të mirë para publikut vendës.
Kësaj radhe, nisur edhe nga rezultatet pozitive të skuadrës, ishin rreth 3000 tifozë në Roza Haxhiu për të parë ndeshjen midis Lushnjës së drejtuar nga Saimir Malko dhe Besës, që drejtohet nga Gugash Magani. Ndeshja e 78-të midis këtyre dy skuadrave ka qenë me fat për lushnjarët, të cilët kanë shpërdoruar një pafundësi rastesh para portës së Gumës.
Ndeshja nis vrullshëm nga të dyja skuadat dhe në harkun kohor të 4 minutave krijohen 3 raste në portat respektive. Gjatë 20 minutave të para ndeshja është pothuaj e barabartë, me një epërsi të lehtë të lushnjarëve, që më pas e rrisin nivelin. Gjysma e dytë e pjesës së parë flet vetëm për skuadrën verdhejeshile, që në këtë ndeshje ka luajtur me fanella të bardha.
Në lojën e vendësve ka ritëm dhe raste, por në momentin final para portës nuk ka siguri për të përshëndetur rrjetën. Miqtë nga Kavaja tregojnë se synojnë një rezultat pozitiv dhe bëjnë më të mirën e tyre. Roshi dhe Hasa nuk janë në ditë të mirë dhe neutralizohen lehtë nga mbrojtja lushnjare. Pa gola përfundon pjesa e parë dhe në të dytën lushnjarët janë sërish në kërkim të golit.
Ka një moment të dyshimtë, kur njëri prej mbrojtësve kavajas e kap topin me dorë në zonë, por nuk ka 11- metërsh për kryesorin Kridens Meta. Raste të panumërta dhe vetëm nga një goditje standarde do të vinte goli. Në minutën e 65-të, pas një krosimi të Gjonit në pozicion ballor, Canka, në afërsi të shtyllës së dytë, me kokë shënon golin e vetëm të ndeshjes, pasi i vidhet mbrojtjes së rreptë kavajase.
Pas pësimit të golit Besa mundohet ta rrisë tempin e lojës dhe përdor kundërsulmin e shpejtë, por nuk arrin të barazojë. Aktivizohet edhe goleadori Bubeqi për miqtë dhe duartrokitet nga publiku lushnjar për futbollin e bukur dhe golat që ka shënuar me fanellën e Lushnjës vite më parë.
Por edhe ai nuk sjell rrezik për mbrojtjen lushnjare. Madje, në minutat e fundit shënohet edhe një gol nga kavajasit, por në pozicion jashtë loje. Përfundimi është ai që të gjithë prisnin në Roza Haxhiu, fitorja. Shumë raste të humbura nga lushnjarët, që mbajnë kështu vendin e 4-t.
