Elbasani bën detyrën në shtëpi, mposht Mamurrasin
Golat e Galicës dhe Hilës në pjesën e parë i kanë dhënë ekipit verdheblu fitoren e radhës në stadiumin Ruzhdi Bizhuta
Elbasani Mamurrasi 2-1
Shënues: Galica 15′ ,’ Hila 18′ / Baçi 62
Elbasani: Ruçi, Merxha, Sekseni, Bella, Musta, Hila, Gava, Kuçi, Toçi (Halilaj 87), Galica, Olatunji (Tafani 65). Tajner: I.File.
Mamurrasi: Myrta, Baçi, Matraku, Shima (Noka 50), Sharra, Gegaj, Metaj, Dosti, Rustemi, Hysaj (Pustina 60), Allamani.
Trajner: S.Bardhi.
Gjyqtarë: A.Beqiri, E.Dëraj, H.Bregasi (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Gava, Baçi, Allamani
Elbasani kthehet te fitorja, duke bërë ritualin e zakonshëm në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Një fitore e merituar përballë Mamurrasit, edhe pse me rezultatin e ngushtë 2-1. Galica dhe Hila kanë shënuar për verdheblutë, ndërsa për miqtë ka shkurtuar diferencën e golave kapiteni Baçi. Ndeshja është dominuar totalisht nga ekipi vendës, që bën kthesën pas dy humbjeve radhazi. Elbasani ka bindur edhe me lojë, duke interpretuar një nga ndeshjet më të mira deri tani. Mamurrasi nuk ka pasur fuqi ti rezistojë dhe në fund ka pranuar humbjen.
Elbasani e nis mjaft mirë ndeshjen, e qarkullon saktë topin dhe rrezikon menjëherë, duke dhënë sinjale të qarta se nuk pranon rezultat tjetër veç fitores. Verdheblutë sulmojnë dendur dhe vetëm pas 6 minutash godisnin traversën, me anë të mbrojtësit Sekseni. Sulmet e Elbasanit vazhdojnë, ndërkohë që Mamurrasi vetëm mbrohet, por rezistenca zgjat vetëm 15 minuta. Pikërisht në këtë minutë Galica godet saktë më kokë brenda zonës, pas krosimit të mesfushorit Kuçi nga goditja e këndit dhe 1-0.
Miqtë shokohen dhe e kanë të pamundur të reagojnë. Elbasani kontrollon lojën dhe goli I dytë nuk vonon. Pas 3 minutash i riu Hila shfrytëzon një krosim të Galicës dhe me kokë e dërgon topin në rrjetë, duke mposhtur portierin Myrta. Edhe pas golit të dytë Elbasani sulmon, duke kërkuar goleadën, por por pa ia arritur qëllimit. Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 2-0, me një dominim total të vendësve.
Pjesa e dytë e gjen përsëri Elbasanin në sulm, ndërkohë që Mamurrasi synon të bëjë diçka dhe trajneri Bardhi bën dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Nokën dhe Pustinën. Këto lëvizje e përmirësojnë lojën e miqve, që arrijnë të shënojnë me anë të kapitenit Baçi, i cili realizon me kokë në zonë, pas një goditjeje dënimi. Mamurrasi sheh më shumë drejt portës së Ruçit, por mbrojtja verdheblu është në një ditë të mirë dhe nuk lë hapësira.
Tafani zë vendin e Olatunjit dhe menjëherë ka një rast të artë për të shënuar, por nuk arrin të konkretizojë. Elbasani merr sërish frenat e lojës në dorë dhe krijon një mori rastesh, por Tafani dhe Galica nuk tregohen të aftë të shënojnë. Portieri mik bën disa pritje shpëtimtare dhe Elbasani fiton 2-1. Një fitore me vlera, pas dy humbjeve radhazi.
Trajnerët
Ilirian File, trajner i Elbasanit: Ishte një fitore e merituar dhe që na qetëson disi, pasi erdhi pas dy humbjeve radhazi. Ishim nën presion për ta fituar këtë takim dhe ia arritëm qëllimit. Shpresojmë që tani të kemi vazhdimësi në rezultate.
Sinan Bardhi, trajner i Mamurrasit: Më pëlqeu loja e ekipit, sidomos në pjesën e dytë, pavarësisht humbjes. Zhvilluam një takim të mirë dhe jam i kënaqur nga lojtarët. Nuk është fundi i botës të mundesh nga Elbasani me rezultatin 2-1.