E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokumenti i Planit Rregullues të Tiranës

Puna për hartimin e Planit Rregullues të kryeqytetit ka filluar më shumë se katër vjet më parë dhe ka përfunduar në shtator të vitit 2008. Ky plan është punuar nga studioja zvicerane "Urba Plan", e cila u shpall fituese e tenderit ndërkombëtar, organizuar nga Banka Botërore. Hartimi i Planit Rregullues është mundësuar nga një donacion i qeverisë holandeze.

Në dhjetor të vitit 2008, Plani Rregullues është miratuar nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Tiranës dhe menjëherë pas zbardhjes së hartave, në shkurt të vitit 2009, plani i është dorëzuar Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Për rreth tre muaj, Plani Rregullues është ekspozuar në pavijonin e qelqtë, në sheshin "Skënderbej", ku është vizituar nga më shumë se 5 mijë banorë të kryeqytetit, ndërkohë që janë organizuar rreth 8 dëgjesa publike me qytetarë të Tiranës dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme të interesit, për të diskutuar rreth këtij plani.

Sipas projeksioneve të popullsisë, në vitin 2020, Tirana parashikohet të ketë 1050,000 banorë. Plani Rregullues i jep zgjidhje të plotë të gjitha nevojave që krijohen nga dinamika e re për qytetin. Plani Rregullues parashikon krijimin e 14 qendrave dytësore për qytetin, ndërkohë që siguron mundësi banimi për 400 mijë banorë të rinj. Dinamikave të reja të qytetit, Plani Rregullues iu përgjigjet duke parashikuar 200 mijë vende të reja pune, 66% në sektorin privat dhe 34% në sektorin publik. Sipas Planit Rregullues, sipërfaqet magazinuese për veprimtari industriale dhe tregtare do të dyfishohen, ndërkohë që do të krijohen 187 hektarë sipërfaqe e re, për veprimtari tregtare dhe 340 hektarë sipërfaqe e re për zona ekonomike dhe veprimtari magazinuese. Plani Rregullues përcakton një hierarki të re të rrjetit rrugor dhe parashikon ndërtimin e Unazës së Madhe, përmes tre fazave: faza e parë për pjesën perëndimore dhe jugore, faza e dytë për pjesën veriore dhe faza e tretë për pjesën lindore.

Bazuar në një koncept të ri lëvizshmërie, si dhe në Masterplanin e Trafikut, prioritet nuk do të kenë më makinat private, por këmbësorët, lëvizja përmes biçikletave dhe transportit publik.

Plani Rregullues parashikon ruajtjen dhe rehabilitimin e sipërfaqeve ekzistuese të gjelbra, por edhe krijimin e 175 hektarëve sipërfaqe të re të gjelbër, si dhe krijimin e dy parqeve të rinj urbanë për zonën metropolitane, parkun e Paskuqanit dhe atë të Farkës. Sipas Planit Rregullues, do të zgjerohen dhe rehabilitohen 4 komplekse të mëdha shëndetësore, do të ndërtohen 15 poliklinika të reja, do të ndërtohet kampusi i ri universitar, si dhe 7 mijë shkolla të reja. Plani Rregullues përcakton instrumente të reja të menaxhimit urban, duke e kthyer Bashkinë e Tiranës në një aktor në tregun imobiliar dhe duke sjellë koncepte të reja, si bonuset në ndërtim dhe instrumente të reja planifikues.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›