Zgjedhjet vendore, Berisha uron në telefon Berluskonin
Kryeministri Sali Berisha uroi dje paradite Kryeministrin e Italisë, Silvio Berluskonin, për fitoren që e djathta e drejtuar prej tij, arriti në zgjedhjet rajonale vendore të zhvilluara tri ditë më parë në vendin fqinjë. Këto urime, Berisha ia shprehu homologut italian gjatë një bisede miqësore telefonike. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit, Berisha i shprehu homologut bindjen se kjo fitore dëshmon besimin e madh të qytetarëve italianë tek Silvio Berluskoni dhe tek koalicioni qeveritar. Ndërsa Kryeministri Berluskoni e falënderoi me shumë përzemërsi Kryeministrin Berisha për urimin e tij. Po kështu, gjatë bisedës të dy kryeministrat ranë dakord për të zhvilluar një takim të përbashkët. Ky do të jetë edhe takimi i tyre i tretë zyrtar mes Kryeministrit Berisha dhe atij italian, Berluskoni. Fillimisht ishte Kryeministri italian, i cili në fillimin e muajit dhjetor të dy viteve më parë zhvilloi një takim zyrtar në Tiranë. Më pas pak muaj më parë, ishte Kryeministri Berisha që zhvilloi në Romë një takim me liderin italian të së djathtës. Mes Kryeministrit Berisha dhe atij italian ka pasur një miqësi të hershme dhe nisur nga kjo, nuk kanë munguar telefonat dhe kontaktet e vazhdueshme mes tyre.
#