E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv.sekretari amerikan: Pavarësi për institucionet

Tiranë- Ruajtja e pavarësisë së institucioneve është jetësore për demokracinë në Shqipëri. Kështu është shprehur zv/Sekretari Amerikan të Mbrojtjes, Gordon England, gjatë takimit me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. 

England vlerësoi përparimet dhe sukseset e arritura nga Shqipëria, duke vënë në pah rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve të pavarurura kushtetuese dhe duke siguruar Presidentin Topi për vazhdimësinë e mbështetjes së palëkundur amerikane për vendin tonë për të promovuar dhe mbrojtur paqen dhe qëndrueshmërinë në Ballkan e më gjerë si dhe duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon.

“Jam shumë i kënaqur sot gjatë diskutimeve kur mora sigurimet më të mira që këto reforma do të vazhdojnë, që Shqipëria do të vazhdojë të respektojë pavarësinë e institucioneve të pavaruara të cilat janë aq jetësore për demokracinë në Shqipëri, të cilat do të ndihmojnë vendin tuaj për të ndërtuar një demokraci të fortë dhe një ekonomi të tillë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë fuqimisht në përkrahje të Shqipërisë dhe ne presim që kjo miqësi dhe këto lidhje të forcohen gjatë viteve në vazhdim"- tha ai.

Kreu i shtetit, Topi e ka siguruar zv.sekretarin amerikan të Mbrojtjes që Shqipëria sikurse ka luajtur, vazhdon të luajë dhe do të luajë me prioritet rolin e moderatorit në rajonin tonë Ballkanik. "Ne do të bëjmë përpjekje vigane për të pasur pikërisht këtë vlerësim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta merituar këtë marrëdhënie, për të merituar besimin që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës që Shqipëria të jetë pjesë e NATO-s. Padyshim, unë e sigurova, sikurse janë të bindur të gjithë shqiptarët që Shqipëria, institucionet e saj do të jenë aleatë të sigurtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në çdo lloj situate"- tha 

Topi në takimin për nder të England, në Pallatin e Brigadave. Kreu i shtetit ka shprehur angazhim maksimal për vazhdimin e reformave politike dhe institucionale dhe ka garantuar realizimin sa më shpejt të standardeve.

Topi shprehu nëpërmjet England edhe mirënjohjen ndaj Senatit Amerikan që nënshkroi para pak ditësh Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO.

Vetëm dy ditë më parë, kreu i qeverisë Berisha ka qenë shumë i ashpër në adresë të gjyqësorit, ndërkohë që opozita e ka cilësuar konferencën e tij si një kërcënim të hapur për drejtësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›