E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan - Kasano

Në pritje të “Mister X”-it, tifozët kuqezinj duhet të argëtohen, apo edhe të frikësohen me lajmet e ditës. Një i fundit është që Antonio Kasano mund të kalojë tek Xhenoa, ndërsa aventura e talentit barez në “San Siro” po i drejtohet fundit. Duke e pasur të vështirë të sigurojë një vend në formacion dhe duke pasur një rrogë të lartë, Kasano është kthyer në një luks për klubin e Berluskonit.

Bisedimet me presidentin gjenovez, Precioni, besohet se kanë ecur në rrugë të mbarë dhe pritet zhvillimi i ndeshjes së Superkupës së Italisë ndaj Interit në Kinë, për të përfunduar këtë biznes. Milani mund ta japë hua Kasanon dhe, në këtë rast, do të shpëtonte nga rroga e tij e lartë prej 3 milionë eurosh në sezon. Po ashtu, mund të ketë një shkëmbim me mbrojtësin Antoneli, plus një pagesë nga ana e ligurëve.

Në të njëjtën kohë, media italiane shkruan se ka “sirena angleze” për Paton, pasi Çelsi i Roman Abramoviçit dhe trajnerit Vijas Boas po interesohet për të. Sipas “tgcom”, klubi anglez jep 23 milionë euro si pagesë si dhe njërin nga dy sulmuesit, Anelka ose Kalu. Veçse, Milan duket pak i gatshëm për të mbetur pa një nga simbolet e tij më të rëndësishëm. Edhe nëse do të pranohet që Pato të shkojë në Londër, kjo do të bëhet vetëm për pagesë të plotë në dorë dhe për jo më pak se 40 apo 45 milionë euro.

Së fundi, Alberto Akuilani vazhdon të pëlqehet nga kuqezinjtë, por problemi kryesor për ta marrë nga Liverpuli është rroga e tij që cilësohet si shumë e lartë për Serinë A, madje edhe për Milanin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›