Kume: Mandatet e PS zëvendësohen me shumicë të thjeshtë
Autori i Lajmit: Redaksia
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mund të bëjë zëvendësimin e deputetëve vetëm me shumicën e thjeshtë të votave. Ky është konstatimi që bën ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume. Sipas Kumes marrja e një vendimi të tillë nga KQZ-ja buron nga vetë kodi elektoral. Prandaj për zotin Kume mundësia për një ngërç institucional nga ana e KQZ-së në zbatimin e ligjit për zëvendësimin e deputetëve nuk ekziston. Për zotin Kume procedurat ligjore që ngarkojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zëvendësimin në listë proporcionale të deputetëve vijnë menjëherë pasi këta të fundit refuzojnë të jenë pjesë e punimeve të kuvendit për mëse 6 muaj. Dhe kur afatet kushtetuese janë ngushtuar ndjeshëm, atëherë KQZ-ja në rast se brenda datës 6 mars deputetet e PS do të refuzojnë të jenë pjesë e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit do të përfshihet në procedurën e zëvendësimit të mandateve në listën proporcionale të subjektit politik. Ky argument është shpjeguar gjerësisht dhe nga kryetari aktual i KQZ-së, Arben Ristani. Ai ka sqaruar se votimi me shumicë të thjeshtë në KQZ mund të bëjë zëvendësimin në listë proporcionale të deputetëve të cilëve u ndërpritet mandati sipas nenit 71 të Kushtetutës. Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e mbështet këtë logjikë në kodin elektoral, i cili, sipas tij, shprehet qartë për rastet e vendimmarrjes së cilësuar, pikërisht në nenin 24 të tij. Sipas Ristanit procedura ligjore parashikon që KQZ të veprojë sapo merr njoftimin nga Kuvendi për mungesën e deputetëve. “Tek vendimet që duan 5 vota nuk përfshihet vendimmarrja në rastin e nenit 164. Ky nen përcakton vendimet sipas neneve 162, 163, 165 që kërkojnë pesë vota. Vendimi që duhet të ndajë KQZ në këtë rast është një vendim administrativ. Pra vendimmarrja që Partia Socialiste i takojnë 15 nga mandatet për qarkun e Tiranës, është vendimmarrje e mbyllur e dhënë për këto zgjedhje dhe nuk ndryshon, janë mandate që i takojnë kësaj partie. Gjithashtu lista është e miratuar dhe nuk ndryshon më. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thjesht do të përcaktojë se kush është i 16-i në listë për shkak se lista është e depozituar në KQZ. Dhe duke qenë kështu ligjvënësi nuk e ka futur këtë lloj vendimmarrje në vendimmarrje të cilësuar, por ka thënë vetëm kur shpërndahen mandatet për zonë zgjedhore”, - ka pohuar ai. Ristani ka sqaruar se KQZ merr vendime pas njoftimit nga Kuvendit. “Është Kuvendi që lajmëron KQZ për vakancën e krijuar dhe është ai që jep pastaj për emrin që vjen në listë. Kjo është procedura”, - ka sqaruar kreu i KQZ-së.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010