PDU dorëzon në Shkodër 30 milionë lekë dhe dhjetëra tonë ndihma
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Drejtësi dhe Unitet u vjen në ndihmë shkodranëve me 30 milionë lekë dhe dhjetëra tonë ndihma. Pas thirrjeve të vazhdueshme për solidaritet kjo parti ka dorëzuar dje në Shkodër të gjithë ndihmat e grumbulluara. Ndihmat janë dorëzuar dje në Shkodër nga kreu i PDU-së, Shpëtim Idrizi, i cili u prit nga prefekti i qarkut Shkodër dhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës. PDU i dorëzoi shtabit të emergjencës një ndihmë prej 30 milionë lekësh të vjetra, një transformator që mund të përdoret në lagjet e Shkodrës ose në fshatrat përreth, si edhe dhjetëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe dhe ushqim për bagëtinë, me vlerë më shumë se 40 mijë euro. Gjatë takimit të zhvilluar në shtabin e emergjencave, në emër të PDU-së, kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi tha se shqiptarët u janë gjendur gjithnjë afër bashkëkombasve të tyre në rastet kur ata kanë pasur nevojë. Idrizi duket se mendon ndryshe nga partia ku bënte pjesë lidhur me përgjegjësit e kësaj fatkeqësie, ndërsa e ka konsideruar katastrofën si një ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet. Më tej, duke folur mbi solidaritetin, Idrizi vuri theksin në rrënjët historike të solidaritetit shqiptar. “Cili komunitet tjetër mund të ishte më solidar sot sesa çamët, kur shqiptarët e tjerë, përfshi edhe shkodranët hapën dyert pas atij gjenocidi që u ndodhi dhe i ndihmuan me sa kishin mundësi”, – tha ai. Idrizi u bëri thirrje të gjithë aktorëve që të mbështesin në rimëkëmbjen e zonës. “Të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të gjenden në ndihmë të këtyre banorëve sot, duke mos pritur vetëm nga qeveria, e cila besoj se do të arrijë të menaxhojë nevojat e banorëve, por duke kontribuar në mënyrë aktive për popullsinë vendase”, - deklaroi kreu i PDU-së. Kryetari i këtij shtabi, prefekti i Shkodrës, Maxhid Cungu, falënderoi PDU-në për këtë kontribut. “Solidarizimi i komunitetit tuaj që po shprehni sot këtu në Shkodër është për tu falënderuar. Solidarizimi që po tregoni sot është mjaft i rëndësishëm për rimëkëmbjen e zonës” – tha Cungu, duke informuar të pranishmit mbi masat e marra për rikthimin e jetës në normalitet.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010