Shembjet në Durrës-Kukës, PS: “Qeveria po fsheh të vërtetën”
Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste akuzon Ministrinë e Transporteve lidhur me dëmtimin e një aksi të rrugës Durrës-Kukës, duke thënë se prej katër ditësh, Qeveria po hesht për këtë ngjarje.
Deputeti socialist Gjovalin Kadeli tha se Ministria e Transporteve është duke mbajtur të fshehtë atë që ka ndodhur me veprën publike të konsideruar si “Rruga e kombit”. PS, përmes deputetit Kadeli, i kërkoi Qeverisë të bëjë transparencë duke thënë se tuneli i Kalimashit vazhdon të jetë i mbyllur pas shembjes, ndërkohë që nuk ka ende një shpjegim nga Qeveria. “Fatkeqësisht, katastrofat e krijuara nga papërgjegjshmëria e Sali Berishës po vijnë njëra pas tjetrës, dhe qeveria e votave të vjedhura është kthyer në një skuadër zjarrfikësish, që ka gjithmonë një zjarr për të shuar. Në fillim shpërthimi i korrupsionit në Gërdec që mori 26 jetë të pafajshme, më pas shembja e tunelit të Kalimashit që groposi miliona euro të taksapaguesve shqiptarë, përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë, që lanë qindra familje pa banesa, pa gjë të gjallë, e pa prodhime bujqësore. Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, u shfaq dhe miu që sabotoi ndeshjen ku luanin Yjet e Realit të Madridit, duke turpëruar Shqipërinë në faqet e gazetave prestigjioze ndërkombëtare”, - tha ai, ndërsa kërkoi transparencë në emër të shqiptarëve. Kadeli shtoi se të gjitha këto katastrofa kanë dhe përgjegjës, të cilët duhet të vihen para drejtësisë. Ai kërkoi sqarime të detajuara nga Qeveria dhe ministria përkatëse lidhur me rrugën Durrës-Kukës. Çfarë po ndodh me Rrugën e Kombit? Përse po shembet dita-ditës, pjesë-pjesë? Çpo ndodh në tunel? Kur do të hapet ai? Sa do të kushtojë? Po shembjet e pjesëve të tjera të rrugës, faji i kujt është? Përse po ndodhin? Kur do të riparohen? Sa do të kushtojnë riparimet dhe kush do ti paguajë këto para? Akoma po vazhdoni të merrni borxh për të larë borxhet ku një pjesë do ta përdorni për investime, mos vallë do të ketë fatin e shpërdorimit të madh si më parë? Të gjitha këto pyetje janë pyetjet e shqiptarëve, për të cilat qeveria e votave të vjedhura është e detyruar të japë përgjigje”, - tha ligjvënësi socialist.
Ky lajm është publikuar: 24/01/2010