E Diel, 1 Nëntor 2026

Milan-Inter, sy dhe veshë nga derbi i zjarrit në “San Siro”

MILANO-Në orën 20:45 të mbrëmjes së sotme, në “San Siro” të Milanos do të startojë një nga derbet më të forta dhe më të ndjekur në Europë. Milani përballë Interit, Alegri përballë Ranierit. Një përplasje e ethshme, kurdoherë, që ngërthen interesin e miliona shikuesve nëpër botë, që e përcjellin atë përmes ekranit të televizionit, ashtu sikurse stadium i Milanos do të jetë i mbushur plot e përplot. Pozitat e të dyja skuadrave e bëjnë të domosdoshme fitoren. Kuqezinjtë e Milanit duan të marrin 3 pikët, sepse me një veprim të tillë i bëjnë dy shërbime vetvetes: së pari nuk distancohen nga Juventusi, me të cilin e ndajnë prej javësh kreun e Seria A, dhe së dyti, sepse heqin qafe një rival të rrezikshëm në luftën për titull, ziklatrit. Këta të fundit kanë shansin e fundit për t’u future në garën e “scudettos”, nëse dalin fitimtarë ndaj Milanit. Përndryshe, ai rikuperim gjigand i skuadrës së Ranierit në gjashtë javët e shkuara të kampionatit, ku ka marrë gjashtë fitore radhazi, nuk do të kishte shumë vlerë. Prandaj, mediat italiane, parë në këtë këndvështrim, e kanë konsideruar derbin e mbrëmjes së sotme si “Derbi i zjarrit”. Më poshtë, ja disa nga deklarimet e palëve, që do të përplasin brirët në “San Siro”, duke nisur nga ora 20:45.

“Fitojmë derbin dhe dënojmë zikaltrit”
Trajneri i Milanit, Masimiliano Alegri, është përpjekur t’i hedhë pas krahëve ngjarjet e fundit të merkatos, duke u përqendruar totalisht tek derbi. Ndonëse, do e ketë të vështirë të harrojë brenda pak orëve rinovimin e kontratës së tij, mostransferimin e Tevezit në Milano dhe qëndrimin e Patos. Por, të paktën me fjalë, trajneri milanist thotë se mendon për ndeshjen me Interin, vendimtare mbi të gjitha për zikaltrit.
Alegri, si e imagjinoni këtë derbi?
Falë ndryshimeve në pankinë, Interi e ka përmirësuar mënyrën e të luajturit. Në sajë të Ranierit, zikaltrit gëzojnë një formë të mirë. Për më tepër tani kanë rikuperuar edhe Shnajder, i cili është një futbollist i aftë për t’i dhënë Interit diçka më shumë. Por, nëse ne e fitojmë këtë takim, besoj se do ua presim përfundimisht zikaltërve shpresat për titull. Vetëm tri pikët do e lejonin Interin të shpresonte akoma për kampionatin. Pra, ka për të qenë një sfidë e rëndësishme, të cilën do ta fitojë skuadra më e mirë.
A influencojnë te futbollistët ngjarjet e ditëve të fundit në merkato?
Lojtarët janë mësuar me kësi gjëra. Pastaj, këto lloj historish janë bërë normale për muajin janar.
Jeni i lumtur që Pato qëndroi?
Sigurisht, sepse asnjëherë nuk i kam kërkuar klubit largimin e tij. Ndërmjet meje dhe Patos nuk ekziston kurrfarë problemi. E përsëris, nëse ka thënë disa gjëra që nuk duhej t’i thoshte, e ka bërë thjesht për të shfryrë dufin. Pato është vetëm 22 vjeç dhe gjatë këtij viti është dëmtuar shpesh. Për rrjedhojë është mjaft i tensionuar, ndaj dhe unë po punoj së bashku me të që ai ta shkarkojë në fushë tërë këtë tension.
Do luajë braziliani në derbi?
Të shohim. Nëse është mirë, do luajë që nga minuta e parë; në të kundërt do luajë Robinjo në vend të tij. Për shembull, kundër Atalantës ka luajtur mjaft mirë, goditi shtyllën dhe fitoi një penallti.
A keni menduar se si do luanit po të vinte Tevez?
Argjentinasi na duhej për të zëvendësuar Kasanon. Ndër të tjera Antonio dje ka bërë analizat mjekësore, të cilat dolën shumë mirë, kështu që të hënën do nisë përgatitjen atletike. Shpresojmë ta kemi në dispozicion në fund të kampionatit.
Mos ndoshta çështjet e fundit në merkato i kanë shtyrë drejtuesit e Milanit t’jua rinovojnë kontratën deri në vitin 2014?
Jo, merkatoja nuk ka influencuar aspak në rinovimin tim.
Duke parë dëmtimet në mesfushë, prisni ndonjë përforcim? Për shembull, Merkel do kthehet nga Xhenoa?
Kanë shumë pak vlerë këto lloj gjërash kur na ndajnë veçse pak orë nga derbi. Për merkaton do mendojmë javës që vjen.
Kozmi nuk e ka grumbulluar Mesbah, sepse thotë që do shkojë te Milani… Sidoqoftë, nesër ai nuk mund të luajë kundër Interit. Deri tani në kampionat Milani ka hasur vështirësi me skuadrat e mëdha, pasi është mundur nga Napoli dhe Juventusi, ka barazuar me Udinezen dhe Lacion. A ju shqetëson ky fakt në prag të derbit?
Ju gazetarët bëni mirë të mos harroni atë që na ka ndodhur gjatë muajve të fundit. Ne kemi humbur një futbollist për probleme në sy dhe një tjetër me shqetësime në zemër. Me pak fjalë, kemi pasur shumë dëmtime. Dhe është merita e djemve që kanë reaguar.
Cilat janë objektivat e klubit?
Synimi ynë është të fitojmë kampionatin dhe të shkojmë sa më larg në Champions.

Interi paralajmëron: Milan, nuk ke shanse!
Tek Interi duken të gjithë optimistë për fitore në derbi. Seria e pesë fitoreve radhazi në kampionat ka mjaftuar për të rikthyer besimin e plotë brenda zikaltërve. Djemtë e Klaudio Ranierit premtojnë sukses. Ndërkohë, në të njëjtën linjë është edhe vetë tekniku italian.
Klaudio Ranieri “Për derbin janë shumë pak gjëra për të folur, pasi gjithçka duhet shijuar në fushën e lojës. Jam i lumtur që në skuadër u rikthyen futbollistë si Shnajder apo Forlan, po ashtu siç jam i mërzitur që do mungojë Stankoviç ose dikush tjetër. Në ndeshje të tilla përjetohen emocione të jashtëzakonshme. Sa i përket Ueslit, nuk mund të them ende nëse do jetë titullar, por është e sigurt që nuk është i aftë të luajë 90 minuta. Gjithsesi, ne jemi super”, deklaroi Ranieri. I pyetur për ndonjë plan specifik kundër Milanit, ai u shpreh: “Unë jam munduar të parashikoj disi lojën e kundërshtarit, por në përballje të tilla trajneri nuk ka shumë në dorë. Do sfidohen ekipe të fortë dhe episodet, euforia dhe mënyra se si shkon ndeshje është e vështirë për t’u parashikuar saktësisht. Unë mendoj se spektakli nuk do mungojë”, shtoi italiani. Në fund, ai ka shprehur besim të plotë se zikaltrit mund të triumfojnë: “Na duhen patjetër tri pikët, për të qenë në garë për titullin kampion. Jemi të gatshëm për të marrë suksesin dhe unë kam besim të plotë te skuadra ime. Nën presion? Nuk është fundi i botës edhe po humbëm, pasi për titullin kampion mbeten edhe 20 ndeshje të tjera”.
Diego Milito “Jam i lumtur për formën që po kaloj dhe i motivuar maksimalisht për derbin. Shpresoj që gjithçka të shkojë siç duhet. Uroj që të fitojmë dhe unë të shënoj gol. Skuadra do luajë me zemrën dhe unë parashikoj se Milani nuk do ketë shanse për të na ndalur”, deklaroi sulmuesi argjentinas.
Hulio Sezar “Kam dëgjuar të flitet shumë, por unë kam menduar kurrë të largohem nga Interi. Dua të qëndroj këtu, pasi kam ende objektiva për të realizuar, siç është fitimi i titullit kampion. Na pret një derbi, të cilin duhet ta fitojmë dhe do ia dalim mbanë. Është pa diskutim një ndeshje e vështirë, pasi Milani po kalon një moment pozitiv, por edhe ne jemi gjithashtu në formë të shkëlqyer. Nuk i trembem askujt në fushë, edhe pse Ibrahimoviç e Pato janë lojtarë cilësorë. A do të ishte tragjedi nëse do humbnim? I fal dy humbje në të dyja derbet, mjafton që në fund të fitojmë titullin kampion”, u shpreh portieri.
Uesli Shnajder “E përfundova stërvitjen dhe jam në formë të mirë. Ndihem gati për derbin dhe mezi po e pres”, tha mesfushori holandez duke konfirmuar riaftësimin e tij. Lusio “Derbi është një ndeshje që nuk ka shumë nevojë për motivime ekstra. Të gjitha hyjnë në fushë vetëm për fitore. Ne jemi përmirësuar shumë, krahasuar me herën e fundit që u përballëm me Milanin, në Pekin. Do jetë një sfidë e vështirë, por që unë kam besim se do ta fitojmë ne”, deklaroi mbrojtësi brazilian.

(d.b/Panoramasport/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›