Milan-Luis Fabiano, dështon marrëveshja
"Tratativa për Luis Fabianon ka mbërritur në pikën e vdekjes". Përfaqësuesi ligjor i Milanit, Leandro Kantamesa, u jep një lajm të hidhur tifozëve kuqezinj, të cilët dëshirojnë ardhjen e "o Fabuloso". Gjithçka u bë e ditur gjatë një prononcimi në mikrofonat e "Sky Sport 24". "Tratativa ka qenë gjithnjë me Seviljen dhe vetëm me klubin, jo me lojtarin, ka deklaruar juristi i Milanit. Ofertën tonë e kemi bërë dhe nga momenti që ka thënë ‘Jo‘, gjithçka ka marrë fund. Do të duhet të pyesni Galianin nëse do të ketë një tjetër ofertë, por në këtë moment nuk ma merr mendja". Ndërkohë, shtypi spanjoll theksonte dje se Milani është hedhur në kërkim të një mbrojtësi me eksperiencë të madhe. "El Mundo Deportivo" pohon se ky mbrojtës është Karlos Pujol i Barcelonës, i cili pëlqehet prej kohësh nga kuqezinjtë. Ndërsa nga kampi i Milanit, Pirlo është gjithnjë e më pranë Çelsit.