E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Siti, operacion 72 milionë eurosh për Adebajor

Mançester Siti është fare pranë blerjes së Emanuel Adebajor, një transferim që do të shtojë në arkat e Arsenalit rreth 30 milionë euro (25 milionë sterlina). Sulmuesit nga Togo do t‘i ofrohet kontratë 5-vjeçare në "Istlends", nga e cila do të përfitojë afro 156 mijë euro (130 mijë sterlina) rrogë javore. Me llogari të thjeshta, operacioni për transferimin e Adebajor te Siti është një investim, vlera e përgjithshme e të cilit kap shifrën 72 milionë euro (60 milionë sterlina). Trajneri Mark Hjuxhs nuk ka humbur kohë dhe menjëherë pas tërheqjes nga gara për sulmuesin e Barcelonës, Samuel Eto‘o, përcaktoi jo vetëm objektivin e ri për repartin ofensiv, por edhe detajet financiare për realizimin e transfertës. Oferta e tanishme e Sitit për Adebajor është 6 milionë euro më e lartë se shifra që u është propozuar më parë "topçinjve" të Arsen Venger. 25-vjeçari ka rinovuar së fundmi kontratën në stadiumin "Emirates", ku sipas marrëveshjes do të përfitonte 96 mijë euro në javë (80 mijë sterlina). Por, objektivi i tij ka qenë gjithmonë që të kalonte te gjigandët e Serisë A, Milan. Mirëpo rroga e lartë që ofrojnë sheikët arabë ka bërë që lojtari të mos largohet nga Premiershipi. Në anën tjetër, si zëvendësues të sulmuesit tek Arsenali po shqyrtojnë pistën Maruan Çamak, marokeni i Bordosë.

Nëse marrëveshja për Adebajor do të realizohet, Siti do të ketë nëntë sulmues në dispozicion. Tekniku Hjuxh dhe pjesëtarët e tjerë të stafit teknik janë të bindur se akordi mes palëve do të arrihet, ndërsa spekulohet se rroga e tij javore mund të kapë edhe shifrën 204 mijë eurove (170 mijë sterlina). Nëse kjo rezulton e vërtetë, 25-vjeçari do të bëhet lojtari më i paguar në Angli, duke kaluar brazilianin Robinjo, që te Siti paguhet 192 mijë euro (160 mijë sterlina) në javë. "Sitizens" shpresojnë që gjithçka të mbyllet brenda pak orësh, për t‘i dhënë mundësinë Adebajorit që të udhëtojë me pjesën tjetër të skuadrës drejt Afrikës së Jugut për fazën përgatitore. Në grumbullim do të jetë edhe Karlos Tevez, për të cilin u paguan 30.6 milionë euro: argjentinasi ka firmosur kontratë 5-vjeçare. "Karlos është një yll i futbollit botëror, i cili do ta ndihmojë Mançester Sitin të ecë përpara", tha Hjuxhs. "Përveç teknikës, ai është një lojtar që shënon edhe shumë gola".

Adebajor nuk është objektivi i vetëm i klubit të drejtuar nga arabët, që synojnë ta shndërrojnë skuadrën në konkurrente jo vetëm në Premiership, por edhe në Europë. Siti synon edhe Ksabi Alonson: ata mund të paraqiten te Liverpuli me një ofertë disa herë më të lartë se ajo e Realit të Madridit, që pak ditë më parë vendosi në tavolinën e bisedimeve 25 milionë euro. Rafa Benitez mund të jetë bindur plotësisht ta shesë mesfushorin spanjoll, që vazhdon të kërkojë me ngulm largimin nga "Anfilld Roud".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›