E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan Pato mbyll sezonin

“Sezoni i Patos ka përfunduar”. Lajmi bëhet i ditur nga mjeku i Milanit, Merseman, i cili e ka shoqëruar sulmuesin brazilian në Atlanta për konsultën me profesor Karrik. Problemet për lojtarin nuk janë zgjidhur ende dhe nga fjalët e doktorit, “nuk di më se kujt shënjtori ti lutem”, duket qartë shqetësimi.

Ndërkohë, Pato iu nënshtrua rezonancës magnetike e cila konfirmoi dëmtimin e muskulit të kofshës së majtë. Pas dëmtimit numër 14 muskulor që prej janarit 2010, e ardhmja e lojtarit duket një mister. 

Edhe deklaratat e Merseman e konfirmojnë një fakt të tillë, ndërsa mjeku belg ka mbetur i tronditur nga problemi i radhës për sulmuesin, që në “Kamp Nou” kundër Barcelonës u aktivizua vetëm 13 minuta, për tu larguar sërish nga fusha e lojës. 

Pato luajti sepse sipas vizitave mjekësore, ai ishte klinikisht i gatshëm për të luajtur. Por, si kishte ndodhur edhe në 12 rastet e mëparshme, lojtari vazhdon të vuajë probleme kronike muskulore. Pas 10 ose 15 ditësh, lojtari do ti nënshtrohet vizitave të tjera, megjithatë e sigurt është që sezoni i tij ka përfunduar, ndërsa tashmë janë ngritur dyshime serioze edhe për karrierën. 

Ndërkohë, duke qëndruar te Milani, pas eliminimit nga Champions League, drejtuesit e klubit kuqezi i kanë vënë kusht trajnerit Alegri që të fitojë titullin. Sipas gazetës torineze “Tuttosport”, nëse skuadra nuk arrin të fitojë Serinë A, atëherë drejtuesi i stolit do të largohet në fund të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›