89-shi e fitoi derbin e Trepçave

Trepça ’89 është fituese e derbit të qytetit Mitrovicës, pasi e mposhti rivalin lokal, Trepça me rezultat 2:1, në ndeshjen e fundit të xhiros së 22-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll.
Ekipi i Rafet Prekazit ka përfituar nga ndëshkimi me karton të kuq i mbrojtësit kundërshtar, Fetah Ibrahimi në minutën e 19-të, për të luajtur 70 minuta me një lojtar më shumë.
Menjëherë, 89-shi e ka gjetur golin nga gjuajtja e lirë përmes Shpëtim Idrizit.
Trepça e moçme i barazoi shifrat nga penalltia, në minutën e 42-të përmes Shpëtim Babajt, pasi më parë në zonën e rreptësisë u ndal Enis Zabërxha.
Ndërkaq, për fitoren e ekipit bardh e gjelbër u përkujdes sulmuesi Berat Hyseni, që shënoi ndaj ish ekipit të tij në minutën e 69-të, për t’ia siguruar tri pikë ekipit të tij të ri.
Trepça ’89 ngritet në kuotën e 38 pikëve, duke mbetur në pozitën e tretë në tabelë.