Bajerni macja e zeze e Realit

Bavarezët janë në garë për titullin në Bundesligë dhe do të luajnë në finalen e Kupës së Gjermanisë, ndërsa besojnë se mund të kualifikohen edhe në finalen e aktivitetit më prestigjioz në klube, që do të luhet më 19 maj në stadiumin e bavarezëve, “Alianz Arena”.
Edhe pse Reali i këtij sezoni është shfaqur si një skuadër e frikshme, te Bajerni mbizotëron optimizmi dhe kjo falë ecurisë së mirë që gjigandët gjermanë kanë përballë nëntë herë kampionëve të Europës.
Bajerni, që ka marrë katër herë kurorën europiane në histori, në të kaluarën ka luajtur katër herë me realin në gjysmëfinalet e aktivitetit më të rëndësishëm për klube në continent, në vitet 1976, 1987, 2000 dhe 2001, ndërsa janë kualifikuar në tre raste.
Kjo është arsyeja përse bavarezët cilësohen “mace e zezë” në kryeqytetin spanjoll. Madje, për herë të fundit që skuadra gjermane ka fituar trofeun e Champions League, në vitin 2001, ata janë kualifikuar në finale pikërisht përballë skuadrës “merengue”.
Për më tepër, skuadra e Jup Hejnkes ka fituar tetë ndeshje radhazi në të gjitha aktivitetet, duke rigjetur formën më të mirë dhe janë shfaqur si një super-skuadër, ndërsa kjo ecuri është mjaft shpresëdhënëse përpara duelit me “galaktikët” e Zhoze Murinjos, ku do të kërkojnë të hakmerren edhe ndaj teknikut portugez, që në krye të Interit i mposhti në finalen e vitit 2010.