E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milan është më i miri në Itali

Nga Express më 29 mars 2011 në ora 10:21

Zlatan Ibrahimoviç ka thënë se bashkëlojtarët e tij të Milanit nuk do të kenë askënd tjetër të fajësojnë përveç vetes së tyre, nëse nuk arrijnë të fitojnë Scudetton.

Sulmuesi 29 vjeç është i suspenduar për ndeshjen e rëndësishme të së shtunës në derbin e qytetit kundër Interit, pas përjashtimit me karton të kuq në takimin e tij të fundit kundër Barit, që u përcoll me suspendim prej fillimisht tre e më pas të reduktuar në dy xhiro.

Rossonerët aktualisht udhëheqin në Serie A, por Inter -që ka vetëm dy pikë më pak para përballjes në fundjavë - me fitore mund të tejkalojë rivalin e tij. Megjithatë, Ibrahimoviç është i bindur se skuadra e tij është më e mira në Itali dhe u takon atyre të dëshmojnë këtë fakt në përballje me Interin.

“Nëse ne nuk e fitojmë Scudetton, është faji ynë sepse jemi ekipi më i mirë në Itali”, tha Ibrahimoviç për ueb faqen e Football Italia.

“Derbi është i rëndësishëm sepse është më tepër se një ndeshje e zakonshme. Kam luajtur në shumë derbi dhe e di këtë. Do të ishte mirë dhe me rëndësi për ne të fitojmë”, përfundoi ai.

Edhe barazimi do t’u mjaftonte Rossonerëve të ruajnë pozitën e parë në Serie A, shtatë xhiro para fundit. Napoli, që renditet i treti, ka vetëm tri pikë më pak se lideri dhe pret Lazion të dielën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›