E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portieri i 100 golave!

100 gola janë vërtet shumë, kurse të shënohen nga një portier është pothuajse e pamundur. Mirëpo, kjo ndodhi të dielën kur portieri i Sao Paulos, Rogerio Ceni realizoi golin e tij të 100-të në karrierë, në fitoren 2-1 ndaj rivalit Corinthians. Ai mban rekordin botëror nga viti 2006, kur kishte kaluar Jose Luis Chilavertin në kuotën 52. Nga Express më 29 mars 2011 në ora 10:27

Portieri Rogerio Ceni shënoi golin e 100-të në karrierën e tij, duke i siguruar Sao Paulos fitoren 2-1 ndaj rivalit Corinthians në derbin e tensionuar në kampionatin Paulista të përshkuar me tre kartonë të kuq të dielën.

Rogerio, i cili mban kampionin e botës për gola të shënuar nga një portier, nga një goditje e lirë dërgoi topin në këndin e epërm të portës nëntë minuta pas fillimit të pjesës, duke kaluar Sao Paulon në epërsi 2-0. 38 vjeçari, ish portier i Brazilit, rezervist kur Kombëtarja e tij fitoi titullin e tyre të pestë në Kampionatin botëror 2002, u ndëshkua me karton të verdhë pasi hoqi fanellën gjatë kremtimit të golit.

“Kur një portier hyn në fushë, ai nuk mendon për shënimin e një goli, por kjo doli të jetë mënyra si desha unë”, tha Ceni pas përfundimit të ndeshjes në stadiumin neutral në qytetin e Baruerit. Sao Paulo kishte shkuar 11 ndeshje, prej 2007, pa mposhtur Corinthiansin, mirëpo goli rekord i portierit të tyre i udhëhoqi ata drejt fitores.

“Nuk më intereson kush është kundërshtar i yni, por sigurisht se kjo kishte rëndësi për tifozët tanë”, shtoi Ceni i cili siguroi fitoren edhe duke bërë disa pritje të mira, përfshirë një me këmbë pas goditjes me gërshërë nga sulmuesi Liedson në minutat e kohës shtesë. Ceni shënoi golin e 100-të në 950 paraqitje si profesionist.

Ai ka qenë portieri me më së tepërmi gola të shënuar në histori të futbollit prej kur tejkaloi rekordin e Jose Luis Chilavertit prej 52 më 2006. FIFA thotë se Ceni ka 98 gola, por portieri llogarit edhe dy që shënoi në miqësore jozyrtare – një kundër një skuadre të kombinuar të Santosit dhe Flamengos më 1998 dhe një tjetër përballë skuadrës ruse Uralan Elista në një turne eksibicional më 2000.

Por, edhe me llogaritjen e FIFA-s, ai është portieri me numrin më të madh të golave të shënuara. Corinthiansit iu përjashtua mbrojtësi Alessandro në minutën e 73-të dhe sulmuesi Dentinho, i cili ktheu një gol në minutën e 67-të. Sulmuesi i Sao Paulos, Dagoberto - i cili kishte realizuar golin e parë në ndeshje katër minuta para përfundimit të pjesës së parë - u ndëshkua me karton të kuq pas të dytit të verdhë në minutën e 68-të.

Sao Paulo u ngjit në pozitën e dytë në renditjen e kampionatit shtetëror Paulista para Corinthiansit në golaverazh më të mirë. Palmeiras e Luis Felipe Scolarit ka një pikë më tepër në krye.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›