E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk do të pendoheni

Nga Express më 29 mars 2011 në ora 10:23

Sulmuesi brazilian, Adriano është i gatshëm të fillojë aventurën me skuadrën e tij të re, Corinthians. 29 vjeçari, i cili e kishte të vështirë të gjente hapësirë te Roma gjatë 10 muajve të qëndrimit në klub, është i bindur se do të shkëlqejë te ekipi nga vendlindja e tij.

“Corinthians nuk do të pendohet, jam futbollist luftarak. Nuk do të krijoj telashe, por do të shënoj gola”, tha Adriano për të përditshmen Folha de Sao Paulo.

“Thjesht, nuk kisha arsye të mbetem, jam lënduar tri herë, nuk kisha vazhdimësi në ndeshje dhe mendoja se ishte shenjë për rikthimin tim në Brazil. E di se çka jam në gjendje të bëj. Tani duhet të pres, të punoj mirë në stërvitje për të kthyer formën time”, shtoi ai.

Roma kishte vendosur të shkëputë kontratën me ish sulmuesin e Interit gjatë muajit të kaluar. Në atë kohë Adriano spekulohej me transferim te skuadrat nga Premierliga, Tottenham Hotspur dhe Newcastle United, por ai vendosi të vazhdojë karrierën e tij në Brazil. Në vendimin e tij rol të rëndësishëm ka luajtur edhe ish sulmuesi i Brazilit, Ronaldo.

“Dua të marr zemrat e tifozëve të Corinthiansit. Ronaldo më ka ndihmuar në këtë zgjedhje, tani do të mundohem të përcjell hijen e tij, është një person i rëndësishëm për mua i cili gjithmonë më ka këshilluar”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›