Mourinho ishte afër Anglisë

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka bërë të ditur se kishte konsideruar seriozisht marrjen e detyrës së selektorit të Anglisë, pas largimit nga Chelsea në shtator 2007, dhe ishte vetëm “disa orë” larg kësaj, para se të vendoste për vazhdimin e karrierës në një klub.
“Kur u largova nga Chelsea, muaji i parë ishte fantastik. Shkova në Afrikë, në Japoni, bëra shumëçka që nuk isha në gjendje të bëja më parë”, tha Mourinho për periudhën pasi udhëhoqi skuadrën londineze drejt titullit të parë pas gjysmë shekulli e më pas e përsëriti atë para se të krijohen mosmarrëveshje mes tij dhe pronarit të klubit Roman Abramovich. “Muaji i dytë ishte po ashtu i mirë, por nga i treti e tutje ishte e tmerrshme”, shtoi Mourinho në një interviste me të përditshmen sportive franceze L’Equipe.
Edhe pse kishte marrë oferta nga disa klube, ai ishte joshur më së tepërmi nga bankina e Anglisë, të cilën e humbi Steve McLaren e në fund u mor nga italiani Fabio Capello. “Isha vetëm disa orë larg, gati sa nënshkrova për Kombëtaren e Anglisë. Por, në momentin e fundit fillova të mendoj”:
‘Do të udhëheq një ekip kombëtar, do të jetë një ndeshje në muaj dhe gjatë kohës tjetër do të jem në zyrë ose duke përcjellë takime. E pastaj, duhet të pres deri në verë për të marrë pjesë në një Kampionat evropian ose Botëror’? Jo, nuk ishte për mua. Andaj në momentin e fundit u tërhoqa duke preferuar të pres që të më ofrohet një detyrë e mirë, një klub i mirë, një sfidë që do të më motivonte. Ky ishte Inter”, theksoi Mourinho i cili udhëhoqi Nerazzurrët drejt trofeut të tyre të parë në Ligën e Kampionëve pas gjysmë shekulli si dhe triumfoi në Serie A dhe Kupën e Italisë.
Madje, strategu nga Setubal për shkurt kishte konsideruar edhe skuadrën franceze Paris Saint Germain, por ndjeu se Anglia, Spanja dhe Italia do të shërbenin sfida më joshëse për të. I kërkuar të shpjegonte përshtypjet e ‘arrogancës’ në pankinë, Mourinho - i cili shpreson që gjatë këtij sezoni të bëhet trajneri i parë që udhëhoqi tri klube drejt gjithmonëtriumfit në Ligën e Kampionëve - tha se është në natyrën e tij të mundohet që të ndikojë në rezultatin e një ndeshjeje.
“Por, jam shumë më ndryshe sot për dallim prej gjashtë, shtatë ose tetë vitesh më parë. Nganjëherë qëndroj i ulur për pjesën më të gjatë të ndeshjes pa komunikuar shumë. Herëve tjera jam në këmbë nga minuta e parë deri te e 90-ta dhe shumë aktiv. Varet nga situata”, shpjegoi ai. Mourinho tha se punët e tij nuk i merr me vete në shtëpi.
“Kur shkoj në shtëpi, jetoj sikurse gjithë të tjerët. I ndihmoj djalit dhe vajzës me detyrat e tyre të shtëpisë, pi kafe me gruan, ne duam të jemi familje normale”. Por, ai pranoi se e ka të “pamundur” të bëjë shoping me gruan e tij dhe se “nuk mund të shkojë të shikojë djalin duke luajtur futboll sikurse çdo baba tjetër. Vetëm familja ime dhe kolegët më të afërt mund të dinë se kush është Jose Mourinho i vërtetë”, përfundoi ai.