Behrami shpreson në rikthim të shpejtë

Valon Behrami shpreson që lëndimi i pësuar në gju të shtunën të mos jetë serioz si në rastet e kaluara. Mesfushori kosovar kishte dëmtuar gjurin e djathtë në ndeshjen kualifikuese për Euro 2012 të përfaqësueses së Zvicrës ndaj Bullgarisë.
“Unë shpresoj se nuk do të mbetem sërish jashtë fushës për një kohë të gjatë”, ka thënë 25 vjeçari të hënën.
Testet e para e përjashtuan mundësinë e dëmtimit të ligamenteve kryqëzuese apo meniskut, mirëpo situata shtesë e gjendjes së ligamenteve të gjurit mbetet ende e paqartë.
“Unë në të kaluarën kam pasur dëmtime të ligamenteve kryqëzuese, por ky problem është ndryshe. Mbase janë në pyetje ligamentet anësore. Kurrë më parë nuk kam pasur ndërhyrje në atë pjesë të gjurit”, vazhdoi Behrami.
Raportohet se përforcimi i ri i Fiorentinës mund të mbetet jashtë fushës për 6 javë, nëse konfirmohet dëmtimi i ligamenteve anësore.