Milan mbyll afatin kalimtar

Nënkryetari i Milanit, Adriano Galliani, ka mohuar spekulimet e afatit kalimtar të janarit, duke theksuar se nuk do të ketë lëvizje të tjera në ardhje apo largim, gjatë këtij muaji. Ai ka bërë të qartë se qëllimi i klubit, gjatë afatit kalimtar të janarit, është të pakësojë grupin e futbollistëve, në vend se të shpenzojnë në përforcime të reja.
Ardhja e mesfushorit David Beckham, në formë huazimi, deri në fund të sezonit, dhe kalimi i portierit Marco Storari, për gjashtë muaj në Sampdoria, do të mbyllin afatin kalimtar dimëror.
“Afati kalimtar për ne është mbyllur. Klaas-Jan Huntelaar nuk është në shitje. Christian Abbiati është duke punuar mirë dhe kjo është arsyeja pse kemi dërguar Storarin në huazim”, tha Galliani, për mediat italiane.
Galliani është ankuar në krizën e lëndimeve në ekip, mirëpo ka theksuar se edhe rivalët e tyre kryesorë kanë problem të njëjtë. “Është periudhë delikate, pasi kemi probleme me lëndime, por edhe Inter dhe Juventus kanë telashe, madje më të mëdha se ne”, përfundoi ai.