E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ka ekip të idhujve

Tash e një vit kontestohet për përzgjedhjet që bën, por ai vazhdon të ketë besim në grupin e futbollistëve të tij. Selektori i Italisë, Marcello Lippi, vazhdon të injorojë thirrjet për përfshirjen e futbollistëve si sulmuesi i Samopdorias, Antonio Cassano, duke insistuar se kërkon të ketë balancë në ekipin e tij dhe nuk mund të emërojë skuadër të idhujve.

“Sigurisht se njerëzit dëshirojnë t’i kenë idhujt e tyre në Kombëtare, por ata mund të ftohen vetëm nëse përshtaten me bashkëlojtarët e tjerë. Objektivi arrihen me ndërtimin e ekipit”, tha Lippi, gjatë një interviste me të përditshmen sportive italiane La Gazzetta dello Sport.

Pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme se Lippi ka probleme personale me disa prej atyre “idhujve”, të cilëve iu referua – Antonio Cassano dhe Mario Balotelli – ai insiston se nuk ka mosmarrëveshje me askënd që është në konkurrencë për një vend në ekip për Kampionatin Botëror, që zhvillohet gjatë verës në Afrikën e Jugut.

“Nuk kam mosmarrëveshje me askënd. Nuk kam problem me asnjë futbollist”, shtoi ai. Lippi ka lavdëruar kapitenin e Romës, Francesco Totti, për të cilin thotë se ka ndikim të madh tek bashkëlojtarët, derisa spekulohet se ai mund të rikthehet nga pensionimi ndërkombëtar për t’i ndihmuar ekipit në Kampionatin Botëror.

“E kam ftuar në Gjermani, edhe pse nuk ishte qind për qind në formë të mirë fizike. Ai kishte besimin e madh të bashkëlojtarëve, të cilët ishin të kënaqur me prezencën e tij, edhe pse nuk ishte në gjendjen më të mirë”, përfundoi Lippi, i cili fitoi Kampionatin Botëror 2006.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›