Milan "muskuloz" në Marsejë Ronaldinjo e Sedorf në stol
Milani do të luajë sot ndeshjen e parë sezonale në Ligën e Kampioneve, kundër Olimpik Marsejës. Pas barazimit zhgënjyes me Livornon në kampionat, trajneri Leonardo ka vendosur që të lërë jashtë formacionit titullar Ronaldinjon dhe Sedorf. Drejtuesi i stolit kuqezi ka hequr dorë nga fantazia e dy numrave "10", duke preferuar që në stadiumin "Velodrom" të hedhë në fushë një skuadër "muskuloze": Pirlo do të luajë pas shpinës së dy sulmuesve, Inzagi dhe Pato, ndërsa treshja e mesfushës përbëhet nga Gatuzo, Flamini dhe Ambrozini. Me rreshtimin 4-3-1-2 synohet të paktën marrja e 1 pike në sfidën e parë. Ndërkohë, Adriano Galiani ka dalë në mbrojtje të Ronaldinjos duke thënë: "Problemet e Milanit në këtë fillimsezoni nuk kanë ardhur vetëm prej formës jo të mirë të Dinjos. Tani do të luajmë në Champions, që është habitati ynë natyral. Të presim rezultatin e ndeshjes, por jam i sigurt se ekipi do të bëjë një paraqitje të mirë".