E Diel, 1 Nëntor 2026

Bizneset e vogla subjekte të TVSH-së, si duhet ti paguajnë taksat



Ervin KOÇI

Deklarimi i detyrimeve tatimore, si dhe dorëzimi i librave të shitjes dhe blerjes do të kryhet vetëm në mënyrë elektronike nga ana e subjekteve të biznesit. Por vetëm një pjesë fare e vogël e subjekteve të biznesit kanë qenë në dieni të këtyre metodave, pasi pjesa më e madhe as që e kanë pasur idenë se si do të procedohet duke ndjekur metodat e vjetra. Për këtë arsye gazeta “Albania” publikon sot disa prej praktikave dhe procedurave që subjektet e biznesit të vogël duhet të ndjekin për të bërë deklarimet në rrugë elektronike. Sipas kalendarit të përcaktuar dhe të publikuar dhe në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, do të dorëzohen në rrugë elektronike këto deklarata tatimore: 1. Formulari i deklarimit dhe pagesës së TVSH-së. 2. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi të Ardhurat nga Punësimi (TAP). 3. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Tatimit mbi fitimin (deklarata vjetore). 4. Formulari i deklarimit dhe pagesës së Kontributeve për sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.

Procedurat Tatimore
A) Çdo person fizik apo juridik që zhvillon veprimtari ekonomike, qarkullimi i të cilit për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 8 milionë lekë për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda 15 ditëve. Drejtoria Rajonale Tatimore për këtë kategori tatimpaguesish do të ndryshojë përgjegjësinë tatimore, pra do të aktivizojë këta tatimpagues për llojet e tatimeve: TVSH, Tatim Fitimi, sigurime shoqërore e shëndetësore dhe TAP (sipas rastit). Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP detyrimi për deklarim për këta tatimpagues do të ndryshojë nga çdo 3 muaj në çdo muaj. B) Çdo person fizik apo juridik që zhvillon veprimtari ekonomike, qarkullimi i të cilit për vitin 2009 tejkalon ose parashikohet të tejkalojë 5 milionë lekë për këtë vit kalendarik, janë të detyruar të kërkojnë të regjistrohen për TVSH-në që nga 1 janari i vitit 2010, brenda 15 ditëve. Drejtoria Rajonale Tatimore për këtë kategori tatimpaguesish do të ndryshojë përgjegjësinë tatimore, pra do të aktivizoje këta tatimpagues për llojin e tatimit TVSH. Kjo kategori tatimpaguesish do të vazhdojë të jetë subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat Personale për Biznesin e Vogël, taksës vendore pranë Bashkive apo Komunave dhe për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe TAP detyrimi për deklarim do të vazhdojë të jetë çdo 3 muaj. Kujdes. Të dy këto kategori tatimpaguesish do të pajisen me faturë tatimore me TVSH-ë pranë Drejtorive Rajonale Tatimore në momentin e regjistrimit si tatimpagues të TVSH-së (momenti i ndryshimit të përgjegjësisë tatimore) dhe duhet të lëshojnë faturë me TVSH-ë apo ta llogarisin atë mbi furnizimet e tyre që nga momenti i regjistrimit për TVSH-ë.

Deklarimi për TVSH-në
Deklarimi i parë për TVSH-në për tatimpaguesit e regjistruar në fillim të vitit 2010 ishte nga data 1-14 shkurt 2010. Bazuar ne Ligjin “Për TVSH-në” dhe udhëzimin në zbatim të tij, këta subjekte ishin të detyruar të kërkonin të regjistroheshin brenda datës 15 janar 2010. Pas regjistrimit kjo kategori tatimpaguesish ndryshon përgjegjësinë tatimore, por vazhdon të mbajë të njëjtin Numër Identifikimi të Personit të Tatueshëm. Pra numri i identifikimit nuk ndryshon.

Ndryshimi i përgjegjësive
Me ndryshimin e përgjegjësisë tatimore si në rastin kur kjo procedurë kryhet me vullnetin e vetë tatimpaguesit dhe në rastin kur kryhet nga vetë Drejtoria Rajonale Tatimore, kjo e fundit duhet t’u japë dorazi apo t’u dërgojë njoftimin për ndryshimin e kësaj përgjegjësie duke e vënë në dijeni tatimpaguesin për përgjegjësitë e reja tatimore që detyrohet të specifikuara sipas kategorizimit të mësipërm (A-B), duke filluar që nga data e regjistrimit si më poshtë: a) Detyrimin tatimor për deklarim dhe llojin e tatimit për të cilat është i detyruar të deklarojë pas kësaj date të specifikuara sipas kategorive më sipër A dhe B. b) Shpjegimin dhe të dhënat për faqen e ueb-sitit ku duhet të shkarkojë deklaratat tatimore secili tatimpagues: www.tatime.gov.al c) Detyrimin ligjor për mbajtjen e librave të blerjes dhe shitjes për TVSH-në dhe plotësimin e tyre. d) Detyrimin ligjor për plotësimin e deklaratës mujore për TVSH-në duke specifikuar periudhën e parë tatimore me qëllim shmangien e penalizimeve si dhe deklarimin e saj brenda datës 14 të muajit pasardhës. Pra për periudhën tatimore janar 2010 këta tatimpagues do të deklarojnë për TVSH-në nga 1-14 shkurt 2010. e) Mënyrën e deklarimit, afatin për periudhën tatimore për deklarimin e sigurimeve shoqërore nga çdo tre muaj në çdo muaj, formularët që duhet të plotësojë, modelin e formularit për deklarimin e punonjësve si dhe afatin brenda të cilit duhet të deklarojë me qëllim shmangien e penalizimeve (për kategorinë A). f) Pagesën e kësteve mujore paraprake për tatimin mbi fitimin dhe afatin e pagesës. (Kujdes: Përcaktimi i kësteve paraprake të Tatimit mbi Fitimin të kryhet në përputhje të plotë me kërkesat e Ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, për kategorinë A). g) Në rastin kur një person ka filluar veprimtarinë ekonomike gjatë vitit kalendarik 2009 si tatimpagues person fizik apo juridik i taksës vendore mbi biznesin e vogël, bazuar në udhëzimin për TVSH-në, kufiri i regjistrimit llogaritet në përpjesëtim me kohën e zgjatjes së veprimtarisë, (p.sh. kufiri minimal i regjistrimit për një tremujor, për një tatimpagues i cili ka filluar veprimtarinë në tremujorin e fundit 2009, është 5.000.000 /365 x 76 dite = 1.041.095 lekë). h) Të udhëzohen dhe tu nënshtrohen procedurave për pajisje të menjëhershme me pajisje fiskale në zbatim të Ligjit “Për Procedurat Tatimore në RSH”.

Llogaritja e TVSH-së
Çdo person fizik apo juridik që do të regjistrohet për TVSH-në dhe për Tatimin mbi
Fitimin (Biznesi i Madh), sipas kategorisë A (qarkullimi 8 milionë lekë), prej datës, momentit të ndryshimit të përgjegjësisë është i detyruar të dorëzojë inventarin e mallit gjendje, inventarin e aktiveve afatgjata materiale e jomateriale nëse ka etj. Këto deklarata do të depozitohen në dosjen e tatimpaguesit dhe do të jenë të vlefshme për përllogaritjen e saktë dhe pa ekuivoke të detyrimeve të tatimpaguesit për periudhat që do të vijojnë për TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin (për kategorinë A). Këta persona të tatueshëm deri në datën e ndryshimit të përgjegjësisë do të vazhdojnë të lëshojnë faturë të thjeshtë tatimore (të biznesit të vogël). Menjëherë me ndryshimin e përgjegjësisë tatimore do të lëshojnë fature tatimore me TVSH-ë si dhe do të kenë të drejtë të kreditojnë TVSH-në e paguar sipas faturave të blerjeve që do të disponojnë pas kësaj datë. Që prej datës që regjistrimi si subjekt i TVSH-së ka hyrë në fuqi (referuar shembullit) pra 10 janar 2010, ky subjekt do të lëshojë faturë tatimore me TVSH-ë dhe do të ketë të drejtë të kreditojë atë në blerje të kryera pas kësaj date për aktivitetin e tij të tatueshëm.

Ndryshimi i pragut
Kur tatimpaguesi biznes i vogël kalon në subjekt të regjistruar për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin (Kategoria A), për periudhën tatimore të tremujorit në të cilin subjekti ka qenë biznes i vogël, kontributet dhe TAP-i nuk do t’i deklarojë si subjekt i vogël (3-mujore), por si subjekt i madh pra çdo muaj. Në këtë rast subjekti do të bashkojë në një deklaratë periudhën prej fillimit të tremujorit kur subjekti ka qenë biznes i vogël, me muajin që ai kalon si subjekt i madh dhe deklarimin e pagesës do ta kryej brenda datës 20 të muajit pasardhës që pason muajin në të cilin subjekti ka kaluar si i madh.

Kalendari i përcaktuar për subjektet që duhet të bëjnë deklarimin elektronik
1. Subjektet e regjistruara pranë Drejtorisë rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj,
duke filluar nga periudha tatimore 1 janar 2010.
2. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin të regjistruara pranë
Drejtorive Rajonale, duke filluar nga periudha tatimore 1 mars 2010.
3. Subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe subjekt i Tatimit mbi të Ardhurat
Personale për biznesin e vogël duke filluar nga periudha tatimore 1 korrik 2010.
4. Entet shtetërore duhet të paraqesin deklaratat tatimore për Tatimin mbi të Ardhurat
nga Punësimi (TAP), për Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore, duke filluar nga
periudha tatimore 1 mars 2010.
Gjithashtu do të dorëzohen elektronikisht një kopje e regjistrimeve mujore të librave të shitjes dhe të blerjes në këtë mënyrë:
1. Tatimpaguesit e regjistruar në Njësinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj: a) për periudhën janar 2010, brenda datës 14 shkurt 2010, b) për periudhat e tjera, brenda datës 5 të çdo muaji pasardhës.
2. Për subjektet e regjistruara për TVSH-në dhe për Tatimin mbi Fitimin, brenda datës
5 të muajit pasardhës, sipas kalendarit të mësipërm të deklarimit të detyrimeve
tatimore.

Shkurt/////////////////////////////////////
Mbyllja e aktivitetit të biznesit, si procedohet

Për të gjithë kërkesat e drejtuara nga QKR-ja apo personi i tatueshëm i regjistruar
si subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël për mbyllje aktiviteti, sidomos
për kategorinë e personave të tatueshëm të cilët në të dhënat e sjella nga Drejtoritë
e Taksave Vendore pranë bashkive apo komunave janë klasifikuar si persona të
tatueshëm me qarkullim të kryer apo parashikuar 5.000.000 lekë e sipër, Drejtoria
Rajonale Tatimore të kryejë të gjitha procedurat që i kërkon ligji. Pra përveç detyrimeve aktuale të papaguara që tatimpaguesi mund të ketë ose jo, të bëjë kujdes që ai të ketë përmbushur dhe detyrimin tatimor për deklarim, pra të ketë kryer deklarimin e sigurimeve për 3-mujorin e fundit 2009, si dhe të deklaratës vjetore për Tatimin mbi të Ardhurat Personale për Biznesin e Vogël për vitin 2009. DRT-ja, përpara se ti konfirmojë QKR-së situatën e tatimpaguesit të verifikojë në vendin e kryerjes së biznesit të tij, nëse ky tatimpagues realisht ka mbyllur apo jo aktivitetin në përputhje me kërkesën e bërë. Në rast konstatimi të kundërt për sa më sipër, pra që personi nuk ka kryer të gjitha deklarimet apo kur vazhdon aktivitetin por ka tentuar ta mbyllë atë pranë QKR-së, pa ndodhur realisht mbyllja, të njoftojë menjëherë këtë organ brenda afateve dhe procedurave të parashikuara në Ligjin “Për Procedurat Tatimore në RSH” që të mos ekzekutojë çregjistrimin (mbylljen) e personit të tatueshëm, si dhe shmangien e ndonjë regjistrimi të ri nga tatimpaguesit me të njëjtin emër apo me emër të ndryshëm në të njëjtin vend të veprimtarisë për të njëjtin aktivitet që ka qenë i regjistruar.

Pas zbulimit të skemës së mashtrimit, bizneset në sitën e tatimeve

Tatimorët do të kalojnë në sitë të gjithë bizneset që mendohet se i janë shmangur pragut të ri të tatimit të vlerës së shtuar, nëpërmjet falimentimit të qëllimshëm dhe rihapjes së aktivitetit me emër të ri. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Besnik Nuredini, deklaroi se inspektorët tatimorë janë në terren për të verifikuar si rastet e falimentimit, ashtu dhe ato të mos regjistrimit si subjekte të TVSH-së. Sipas numrit dy të Tatimeve, “rreth 20 për qind e biznesit të vogël, që në bazë të informacionit të marrë nga vendorët pritej të bëhej pjesë e skemës së TVSH-së, ka deklaruar falimentin”. Ai ka vijuar më tej duke thënë se, "janë rreth 1 mijë biznese të mbyllur. Verifikimi përfundon brenda prillit, ku pastaj do kemi një pasqyrë të qartë”. Nuredini shpjegon se ky kontroll ka për qëllim shmangien e evazionit fiskal. Prej janarit të këtij viti, bizneset që realizojnë një xhiro vjetore mbi 5 milionë lekë, përfshihen në skemën e TVSH-së, duke i detyruar mbajtjen e evidence me anë të faturave tatimore për çdo transaksion të kryer, kjo masë tenton të luftojë informalitetin në ekonomi.

1 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›