Milani dhe Juventusi rikthejne paqen

Pas tensionit në duelin për titull ndërmjet Milanit dhe Juventusit, që përfundoi në barazim 1-1, mes polemikave për golin e Muntarit të paakorduar nga gjyqtari, një pozicion jashtë loje për Matrin e bardhezinjve që kishte shansin të shënonte dhe debateve të fundit e sfidës, tashmë rikthehet paqja.
Mediat italiane raportojnë se dy klubet janë të vendosura të ruajnë “aleancën e shenjtë” të krijuar gjatë viteve të fundit dhe kjo pavarësisht episodeve të diskutueshme që u regjistruan në “San Siro”.
Për të qetësuar situatën ka shërbyer një telefonatë që presidenti i Juventusit, Andrea Anjelit i ka bërë administratorit të Milanit, Adriano Galianit.
Drejtuesi i “Zonjës së Vjetër” hodhi hapin e parë drejt rivendosjes së marrëdhënieve institucionale ndërmjet klubeve dhe rrjedhimisht pajtimit mes palëve.
Në Itali theksojnë se nëpërmjet kësaj telefonate, Anjeli dhe Galiani janë sqaruar dhe kanë pranuar gabimet reciproke, duke premtuar se në të ardhmen do të jenë më të përmbajtur në deklaratat që bëjnë dhe qëndrimet që mbajnë për ngjarje të caktuara.
Qëllimi i Milanit dhe Juventusit është që t’i lënë mënjanë këto lloj “keqkuptimesh”, megjithatë vetëm koha do të tregojë nëse pakti për paqje do ti rezistojë episodeve dhe tensionit të së ardhmes.