Milani eliminohet nga Kupa e Italisë

Kampioni i ri i Italisë, Milan, do të mbetet vetëm me një trofe këtë sezon, pasi që nuk ka arritur të kualifikohet në finale të Coppa Italia. Kuqezinjtë janë eliminuar në gjysmëfinale të kësaj gare nga Palermo.
Takimi i parë i zhvilluar në San Siro, përfundoi me rezultat të barabartë prej 2-2, ndërsa Palermo e fitoi ndeshjen kthyese në Renzo Barbera me rezultat 2-1.
Pjesa e parë e lojës përfundoi pa gola, gjë që u konvenonte sicilianëve të cilët kualifikoheshin me një barazim të tillë.
Në gjysmën e dytë, Milani tentoi të bënte diçka, mirëpo gjithçka shkoi huq.
Pas një krosimi nga këndi të Ilicic, Giulio Migliaccio shënoi me kokë për të çuar në trans tifozët vendas (63’).
Edhe më keq për kuqezinjtë u bë kur Mark van Bommel ndërhyri në Ilicic brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit duke shkaktuar penalti dhe duke u përjashtuar me karton të kuq.
Ndërkaq, Cesare Bovo ishte i saktë nga pika e bardhe (73’) për të vulosur kualifikimin e Palermos. Edhe Bovo u përjashtua nga loja pak minuta pasi shënoi (75’) për shkak të ndërhyrjes në Alexandre Paton.
Deri në fund të takimit, kuqezinjtë arritën të shënojnë vetëm një herë me anë të Zlatan Ibrahimovic, kështu që eliminohen nga Kupa e Italisë në këtë fazë.
Në finale, Palermo do të luajë ndaj fituesit të duelit në mes të Interit dhe Romës.