E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani i ri: Bekham, Rafinja e Bale

Rafinja, Bale e Bekham: Janë këto tre objektivat kryesorë të merkatos së ardhshme të dimrit për Milanin. Tre kampionët, të cilët janë shënjestruar prej disa kohësh nga klubi milanez, kanë qenë pjesë e listës së merkatos së verës. Problemet ekonomike (Rafinja vlerësohej 11 milionë euro nga Shalke, Odo nuk pranoi të shkonte te Totenhemi në shkëmbimin me Bale) dhe ligjore (Bekhami ka tentuar më kot të lirohet nga kontrata me Galaksin) e kanë detyruar Milanin të bëjë një merkato më pak të bujshme sesa ishte parashikuar dhe, mbi të gjitha, të mangët në krahasim me atë që priste vetë Leonardo. Në veçanti, trajneri brazilian dëshironte një lojtar të mirë në krah dhe për këtë kishte individualizuar njërin mes brazilianit Rafinja (Shalke) dhe uellsianit Bale (Totenhem). Në këtë rastin e fundit u hodh edhe ideja e shkëmbimit të mundshëm me Jankulovski (plus edhe një shumë parash në favor të klubit anglez). Ky operacion mund të mbyllet në muajin janar, edhe sepse Milani mund të interesohet në të njëjtën kohë për Rafinjën (i përdorshëm si në të majtë ashtu edhe në të djathtë) dhe për Bale. Por e gjitha kjo, mund të konkretizohet vetëm nëse do të mund të kalonin në turin e 16-shes në Champions League. Një objektiv i domosdoshëm, i cili nuk mund të injorohej nga klubi italian. Edhe për shkak, sepse do t‘u jepte atyre një shumë të mjaftueshme (5-6 milionë euro), të cilat do t‘i shtoheshin fushatës së merkatos së janarit. Është e vërtetë që Bekhami do të kthehej te bluza kuqezi në formë huazimi, ashtu siç ndodhi në janar të 2009, me mundësinë për të kompletuar të gjithë kampionatin e Serisë A. Po ashtu është konkret fakti, që pas mbylljes së bilancit më 31 dhjetor 2009, do të mund të përdoren dhe kapitalet e freskëta nga menaxhimi i ri ekonomik. Edhe sepse në këtë datë është parashikuar dhe hyrja e ortakëve (në minorancë) në klubin milanez. Biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi, (tifoz milanist, i cili ishte pranë blerjes së Bolonjës) dhe dinastia (nga Dubai) e Al Maktoum (pronari i Emirates Airlines) janë kandidatët kryesorë për t‘iu bashkuar familjes Berluskoni në menaxhimin e klubit. Mes të tjerash, "Emirates Airlines", që nga 1 qershori 2010, do të mund të futet edhe si sponsori institucional i Milanit me një investim vjetor prej 20 milionë eurosh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›