E Diel, 1 Nëntor 2026

"Qëndrimi në Kombëtare, eksperiencë shumë e mirë"

Ishte një prej lojtarëve që bënë diferencën në takimin ku përfaqësuesja U-21 e Artan Bushatit fitoi 1:0 përballë Azerbajxhanit. Tashmë Emiljano Vila shihet si një alternativë për krahun e majtë të mesfushës. Trajneri Josip Kuzhe vendosi ta kishte në dispozicion për sfidën e së mërkurës, ndërsa talenti durrsak do të jetë në balotazh me Likën dhe Hykën për një fanellë titullari. "Personalisht mendoj se është mjaft pozitive të punosh me grupin e Kombëtares ‘A‘. Dihet që ata janë futbollistë shumë cilësorë, të cilët luajnë në ekipe të njohura në arenën ndërkombëtare. Për mua është një eksperiencë shumë e mirë që jam pranë këtyre lojtarëve", deklaroi Vila në konferencën për shtyp. "Për aq minuta sa jam aktivizuar, mendoj se e kam justifikuar prezencën time në përfaqësuese. Kam dhënë më të mirën në takimet e kaluara dhe premtoj se do të bëj të njëjtën gjë edhe në sfidat e ardhshme. Në fushë kundër Danimarkës? Nëse luaj shpresoj të bëj maksimumin". 21-vjeçari zbuloi edhe ambiciet për të ardhmen: "Që prej periudhës kur luaja me Teutën, kisha si objektiv Kombëtaren. E arrita pasi Kuzhe ma bëri një ftesë. Shpresoj që besimi i trajnerit të vazhdojë të rritet. Synoj që me shumë punë të vazhdoj të jem pjesë e më të mirëve. Derisa jam këtu, jam gati për të luajtur. Më kanë ndihmuar edhe këshillat e djemve të tjerë në skuadër. Më kanë mbajtur shumë afër, nuk e prisja një gjë të tillë".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›