E Diel, 1 Nëntor 2026

Milani, kualifikim nën ethe

Milani ka arritur të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas një ndeshjeje me plot emocione ndaj Arsenalit. Rossonerët ishin nën ethe për 90 minuta, por ‘Topçinjve’ nuk u mjaftoi fitorja e thellë 3:0, pasi kishin humbur 4:0 në takimin e parë. Në duelin tjetër, Benfica e eliminoi Zenitin.

Milani është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pas një ndeshjeje dramatike të zhvilluar sonte në Emirates Stadium ndaj Arsenalit.

Ekipi londinez bëri lojë fantastike, duke dominuar totalisht ndaj kundërshtarit, por fitorja me rezultat 3:0 nuk ishte e mjaftueshme, ngase Rossonerët fitonin bindshëm 4:0 në duelin e parë të zhvilluar në San Siro.

Pjesën e parë e pati nën kontroll totalisht Arsenali, ndërsa në atë të dytë kampionët e Italisë u zgjuan nga gjumi, por ishin të rrezikuar në çdo moment.

Vendësit kanë kaluar në epërsi qysh në minutën e shtatë me anë të mbrojtësit Koscielny, i cili shënoi me kokë.

Shpresat e ‘Topçinjve’ i ka shtuar Thomas Rosicky në minutën e 26-të, pasi mori një top të kthyer gabimisht në lojë nga Thiago Silva.

Ndërkaq, Robin Van Persie shënoi nga penalltia në minutën e parafundit të pjesës së parë, kur Mesbah e Nocerino ndërhynë ndaj Alex Oxlade-Chamberlain.

Në 45 minutëshin e dytë, vendësit e vazhduan ritmin e tyre, por që as ekipi italian nuk ndenji duarkryq.

Van Persie e pati një mundësi të shkëlqyeshme për mikpritësit, ndërsa aspak mangut nuk ia la as Nocerino, që e humbi një rast që nuk humbet.

Arsenali e kërkoi me çdo kusht golin e katërt, por nuk ia doli të shënonte. Edhe pse u eliminuan, anglezët dolën nga ky kompeticion me kokën lartë.

Në duelin tjetër, Benfica shkoi përpara pasi e eliminoi Zenitin. Ekipi portugez fitoi 2-0 falë golave të Pereiras dhe Oliveiras.

Ekipit rus nuk i mjaftoi fitorja e arritur në ndeshjen e parë, me rezultat 3:2.

Kështu, Milani dhe Benfica renditen në mesin e tetë më të mirëve në Evropë, kurse për Arsenalin dhe Zenitin merr fund këtu eksperienca ndërkombëtare.

Liga e Kampionëve

Rezultatet

Arsenal – Milan 3:0 (0:4)

Benfica – Zenit 2:0 (2:3)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›