Milanisti Aleksandre Pato "viziton" Realin e Madridit
Pas eliminimit në Kupë, Reali i Madridit "ngushëllohet" me Paton. Sulmuesi i Milanit ka qenë i pranishëm në tribunën e stadiumit "Santiago Bernabeu", për të ndjekur nga afër takimin që "merengues" luajtën me Alkorkonin. Një lajm nga i cili milanistët nuk duhet të alarmohen: prezenca e tij nuk lidhet me asnjë negociatë për merkaton (të paktën për momentin)... Në fakt, braziliani ka shfrytëzuar dy ditët pushim për të vizituar kryeqytetin spanjoll me bashkëshorten Stefani Brito dhe shfrytëzoi rastin që të takonte mikun e tij, Kaka. Në stadium i pranishëm ka qenë edhe Maradona. Pas eliminimit të Realit, trajneri i Argjentinës nuk i kurseu fjalët e ashpra për "Galaktikët". "Pibe de Oro" deklaroi: "M‘u duk e çuditshme dëshira e pakët që lojtarët e Madridit kishin për të luftuar. Por, futbolli kështu e ka: ndonjëherë, peshku i vogël ha të madhin".